Senatori Xhonson nesër vjen në Shkup

Senatori amerikan Ron Xhonson, i cili është bashkësponsor i rezolutës së Senatit për mbështetjen e Marrëveshjes së Prespës, nesër mbërrin për vizitë në Maqedoni në takime me kreun shtetëror.

Marketing

Ai në vend vjen në një periudhë të aktiviteteve diplomatike intensive para referendumit të ardhshëm, më 30 shtator. Kancelarja gjermane Angela Merkel sot qëndron në Shkup dhe u dha mesazh të qartë qytetarëve të Maqedonisë – më 30 shtator të mos qëndrojnë në shtëpi, por të dalin dhe të prononcohen për ardhmërinë e vendit. Në prag të referendumit për vizitë në Maqedoni ishin sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, ministri i Punëve të Jashtme i Luksemburgut Zhan Aselborn dhe kancelari austriak Sebastian Kurc.

Xhonson i cili është njëri ndër bashkëpunëtorët e lartë të presidentit amerikan Donald Tramp, i angazhuar për misione speciale. Njëherit, ai është kryesues me Nënkomitetin për Bashkëpunim Evropian dhe Rajonal për Siguri.

Rezoluta, ku bashkësponsor është Xhonso, jep mbështetje të qartë për marrëveshjen e Prespës, ku siç thuhet, hapet rruga për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe theksohet se me marrëveshjen afirmohet stabiliteti i rajonit në Evropën Juglindore, që është interes i rëndësishëm kombëtar i SHBA-së.

Me rezolutën dënohen përpjekjet e Qeverisë ruse që ta minojë Marrëveshjen e Prespës dhe mbështetet ndihma e SHBA-së deri te autoritetet në Shkup dhe Athinë që të përballen me ndikimin malinj rus.

Me dokumentin kërkohet nga Maqedonia që të vazhdojë me zbatimin e reformave të rëndësishme në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe BE, me theks të veçantë liria e shprehjes, përforcimi i sundimit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit.

Gjithashtu inkurajohen institucionet relevante amerikane që t’i mbështesin kompanitë amerikane, që janë të interesuara të investojnë në Evropën Juglindore.
Senatori amerikan Xhonson për herë të fundit në rajon ishte në shkurt të këtij viti, kur vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

Marketing