Serbët në veri: Nuk duam tjetër shtet

Në Mitrovicën e Veriut është duke u mbajtur një protestë, e thirrur nga Lista Serbe, për shkak të vendimit të Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në targat RKS, Republika e Kosovës. Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Marketing

Ajo ka njoftuar më herët se protesta po organizohet për të treguar “unitet dhe për t’i thënë Evropës, njëzëri, se Serbia është vendi i tyre”.

Fillimisht, punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe gjyqësorit të Kosovës, i janë drejtuar turmës me mesazhin se janë kundër “shkeljes së të drejtave elementare”, se nuk do të lejojnë “përzënien nga këto zona”.

Zyrtarë të institucioneve të drejtësisë kanë thënë se nuk do të punojnë më për institucionet e Kosovës. Sipas tyre, protestat po mbahen për të parandaluar “autoritetet e Kosovës që t’i ndajnë nga Serbia”.

Një ditë më parë, më 5 nëntor, në komunat veriore, ftesat për protesta janë vendosur në hapësira të ndryshme publike.

Në këto ftesa, qytetarëve u është bërë thirrje që të vendosin flamurin e Serbisë në pronat e tyre private, pasi flamujt të tillë veçse janë vendosur në hapësira publike

Policia e Kosovës ka thënë përmes një komunikate se është njoftuar për protestën e 6 nëntorit dhe se ka marrë masa për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.

Megjithatë, ekipet e Radios Evropa e Lirë në terren nuk kanë parë zyrtarë policorë me uniforma të policisë.

Kjo protestë vjen një ditë pasi përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës kanë vendosur të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës: Qeveria, Kuvendi, pushteti lokal, gjyqësori dhe policia.