Serbët protestë në Kosovë, shpaloset flamuri 250 metra dhe thirrje kundër Kurtit

Serbët e Kosovës zhvilluan një protestë në Rudarë, ku janë vendosur barrikada prej disa ditëve. Duke shpalosur një flamur të Serbisë, 250 metra të gjatë, pjesëmarrësit lëshuan thirrje provokative si “Kosova është zemra e Serbisë” por edhe fyerje e ofendime ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Marketing

Gjithashtu pati edhe thirrje kundër ambasadorit gjerman në Kosovë. Protestuesit thanë se barrikadat në veri të Kosovës do të hiqen kur të lirohen 3 serbët e arrestuar, përfshirë ish policin Dejan Pantiç, dhe kur forcat speciale të policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu. Nuk munguan as kritikat për komunitetin ndërkombëtar, duke pretenduar se nuk e lexuan situatën siç duhet.

Ndërsa kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, tha se po kërkojnë paqe dhe pretendoi pa baza se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka lista sekrete për eliminimin e serbëve. Një mesazh për serbët e Kosovës lëshoi dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se do t’i mbështesë gjithmonë dhe se nuk do t’u fshihet të mëdhenjve dhe të fuqishmëve në botë.