Muajin e fundit Serbia merr kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian, sepse për një vit i kanë hequr vizat qytetarëve të një numri të madh të vendeve të treta.
Edhe pse Brukseli pretendon se me këtë po vështirësohet lufta kundër migrimit ilegal, problemi i vërtetë është se Serbia me heqje të regjimit të vizave po i shpërblen shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si dhe ato të cilat e kanë tërhequr njohjen, shkruan gazeta serbe “Blic”.
Se ekziston problemi i madh i politikës serbe ndaj liberalizimit të vizave me vendet e treta ka theksuar sekretari i parë në MPB-në sllovene Boshtjan Shefic, i cili ka thënë se posaçërisht problematike është heqja e vizave për Iranin dhe disa vende afrikane.
Më pas kritikat e ashpra erdhën nga Këshilli i Evropës i cili në raportin e tij ka theksuar se Serbia duhet të përmbahet nga devijimi nga politika e përbashkët e vizave, dhe se praktika e re e pazareve të saj me vendet e treta po shkakton brengosje serioze në Evropë.
Sipas burimeve të “Jutarnji list-it” kroat, për këtë arsye Serbisë mund t’i hiqet regjimi i liberalizimit të vizave nga ana e BE, transmeton Insajderi.com
Gazeta serbe pretendon se kritikat më të ashpra vijnë për shkak të liberalizimit të vizave për shtetasit iranian. Me këtë shtet autoritetet serbe kanë lidhur marrëveshje për liberalizim të vizave në gusht 2017. Prej shtatorit të vitit të kaluar deri sot në Beograd kanë arritur 16.268 shtetas iranian si “turistë”. Mirëpo ata “turistë” më nuk po kthehen në vendin e tyre porse po vazhdojnë nëpër Republika Serpska e tutje për BE.
Për Brukselin, si duket, nuk është i vetmi problem se Serbia me heqjen e vizave po mundëson hyrjen ilegale të imigrantëve në BE por se edhe po i shpërblen vendet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ato të cilat po e tërheqin njohjen për shkëmbim të liberalizimit të vizave të Serbisë.
Serbia në gusht të 2017 i ka hequr vizat për qytetarët e Indisë dhe Iranit, të cilat e përkrahin Serbinë rreth Kosovës. Me regjimin pa viza është shpërblyer Surinami i cili në tetor të vitit të kaluar ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe dy muaj më vonë fitoi liberalizimin e vizave. Edhe Burundi në shkurt të këtij viti e tërhoqi njohjen dhe në maj fitoi regjimin pa viza nga ana e Serbisë.
Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq ka thënë për këtë gazetë se do të bisedojë me përfaqësuesit e BE.
“Jemi të gatshëm ta rishqyrtojmë vendimin, nëse vërtetë ka probleme. Mirëpo, problemi është diku tjetër. Ata mendojnë se ne po ndikojmë në vendimet e këtyre shteteve për Kosovën. Këtu bëhet fjalë për presion politik dhe deri te anulimi i liberalizimit me siguri nuk do të vjen”, është i bindur Daçiq.