Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se për të është befasues lajmi i emërimit të Richard Grenell, si i dërguar i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mediat serbe raportojnë se Vuçiç ka zhvilluar gjatë pasdites një bisedë telefonike me me Richard Grenell, që është edhe ambasador i SHBA-së në Gjermani.
Detajet e bisedës nuk dihen, dhe nuk do të ketë asnjë njoftim për përmbajtjen e asaj bisede.
Pas një takimi në Beograd me përfaqësuesit e Listës Serbe, Vuçiç tha se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë zhvilluar nën ombrellën e Bashkimit Europian dhe se përfaqësues i posaçëm ka qenë Matthew Palmer.
“Presidenti amerikan, Donald Trump, tash ka bërë një emërim të ri dhe unë menjëherë sot do të kem një bisedë telefonike me ambasadorin Grenell. Ai, padyshim se është njeri serioz dhe ka besimin e presidentit Trump. Pra, do të shohim se në çfarë drejtimi do të shkojë”, tha Vuçiç.
Zyrtarët e lartë serbë duket se kanë qenë më komodë me zotin Palmer. Madje Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, nuk ka nguruar të përdorë prejardhjen serbe të gruas së Palmer si për të treguar se ky i fundit do të jetë në krah të Serbisë.
Emërimi i ambasadorit Grenell është mirëpritur nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmërinë që të vazhdojë bashkëpunimin me SHBA-në për Ballkanin Perëndimor.