SHBA/ Përmbytje të mëdha dhe tornado, anulohen qindra fluturime në Nju Jork

Qindra fluturime u anuluan ose u vonuan në tre aeroportet kryesore të Nju Jorkut dje, duke shkaktuar shqetësim të madh për udhëtarët pasi shirat e dendur dhe përmbytjet vdekjeprurëse goditën pjesë të verilindjes.

Marketing

Sipas gazetës amerikane “New York Post”, në 24 orët e fundit janë anuluar më shumë se 1600 fluturime në SHBA.

Për shkak të stuhive të forta janë anuluar rreth 978 fluturime në SHBA, më të shumtët në tre aeroportet kryesore në zonën e Nju Jorkut dhe Boston, sipas faqes së internetit të gjurmimit të fluturimeve FlightAware.

Gjithashtu, 3165 fluturime u vonuan për disa orë.

Aeroportet e Newark, John F. Kennedy International dhe LaGuardia panë më shumë vonesa dhe anulime, sipas faqes së internetit të gjurmimit të fluturimeve FlightAware. Gjithsej 365 fluturime hyrëse dhe dalëse u anuluan në Newark – rreth 30% e të gjitha fluturimeve të planifikuara – dhe 461 të tjera u vonuan, sipas të dhënave të FlightAware.

“Ekziston një rrezik i moderuar i shiut të dendur nga Jersey në Maine jugperëndimore që përfshin Filadelfia, Nju Jorkun dhe Bostonin,” tha Robinson Cook, një meteorolog në Qendrën e Parashikimit të Motit në SHBA.

Stuhitë e rënda të fundjavës, të nxitura nga ajri i lagësht jashtë Atlantikut, po shkaktojnë përmbytje të shpejta në verilindje dhe tornado nga Long Island në Maine.

Në një zonë të përhapur, përfshirë Nju Jorkun, shiu pritet të arrijë deri në 7.6 centimetra, tha shërbimi i motit. Në të gjithë shtetin e Nju Jorkut, 12,138 shtëpi ishin pa elektricitet ​​dje.

Ndërsa verilindja po përballet me mot të ashpër, në Çikago problemet janë edhe më të mëdha. Cilësia e ajrit ka arritur në nivele jo të shëndetshme për shkak të zjarreve që vazhdojnë të digjen në Kanada. Kërkohet nga banorët që të reduktojnë lëvizjet e tyre, veçanërisht ata që vuajnë nga sëmundjet e frymëmarrjes dhe mushkërive, të moshuarit dhe fëmijët e vegjël.