Shënohet “Java evropiane e mobilitetit” në 13 qytete të vendit

Me defilime çikliste sot në Shkup dhe në 12 qytete të tjera do të rrumbullakësohet Java evropiane e mobilitetit që shënohet prej 16 deri më 22 shtator.

Marketing

Defilimi çiklist me rastin e shënimit të Ditës pa automobila 2019 do të fillojë në orën 11:30 nga parku “Ibni Pajko” prapa Filarmonisë nacionale. Biçikleta do të ngasin kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, u.d. shefi i delegacionit të BE-së, Xhulian Vasalo, sekretarja shtetërore pranë Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ana Petrovska, disa ambasadorë, përfaqësues të BE-së, deputetë të Kuvendit dhe nxënës të shkollave të mesme të Shkupit.

Çiklistët do të lëvizin nëpër rrugën “Filipi i Dytë i Maqedonisë” dhe bulevardet “GOce Dellçev”, “VMRO”, “Aradhat partizane”, “Tetë Shtatori” dhe “Ilinden”. Defilimi çiklist, ku do të mund të kyçen edhe të gjithë qytetarët, do të përfundojë afër Guacës në Parkun e Qytetit, ku në orën 12:00 do të fillojë programi argëtues. Disa fitues fatlum përmes lotarisë do të fitojnë biçikleta, kaska dhe shtesa të tjera, si simbol i shfrytëzimit të mjeteve alternative të transportit.

Përveç në Shkup, defilime çikliste do të ketë edhe në Veles, Gjevgjeli, Tetovë, Manastir, Shtip, Negotinë, Koçan, Strumicë, Ohër, Prilep, Kriva Pallankë, Llozovë dhe në komunat e Shkupit SHuto Orizarë dhe Karposh.
Java evropiane e mobilitetit këtë vit shënohet në 2.952 qytete në 48 shtete në Evropë dhe në tërë botën.

Marketing