Zëvendësministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Sanella Shkrijel vlerëson se ministrja teknike Rashella Mizrahi me konferencën e sotme për shtyp në të cilën thoshte se nuk zgjidhen me kohë kërkesat për të drejtën e shtesës së ndihmës dhe kujdesit nga ndonjë person tjetër dhe se janë shkelur të gjitha afatet ligjore tregoi se nuk e di Ligjin për mbrojtje sociale.
“Është shqetësues niveli i ulët i njohjes së ligjeve të ministres teknike të Punës dhe Politikës Sociale, Rashella Mizrahi. Me konferencën e sotme për shtyp ajo edhe njëherë vërtetoi se aspak nuk e kishte lexuar Ligjin e ri për mbrojtje sociale dhe mënyrën në të cilën funksionojnë 15 komisione. Nëse Mizrahi e lexon Ligjin e ri për mbrojtje sociale, do ta mësojë se afati për dorëzimin e lëndëve për ndihmë dhe kujdes nga ndonjë person tjetër është 60 ditë, e jo një muaj siç thotë. Mizrahi në konferencën e saj për shtyp i referohet një ligji të gabuar, e ai është Ligji për procedurë të përgjithshme administrative. Si për sqarim, afati është përcaktuar në nenin 282 të Ligjit për mbrojtje sociale dhe ai është përcaktuar në 60 ditë”, thuhet në reagimin e zëvendësministres Shkrijell.
Qeveria, shton ajo në reagimin, formoi Komisione të decentralizuara për ndihmë dhe kujdes nga person tjetër për dallim nga njëri Komision i centralizuar i cili, siç thotë, ishte vendosur në kohën e sundimit të VMRO-DPMNE-së dhe i paguanin 2.000 denarë për një kërkesë të parashtruar.
“Në interes të qytetarëve tani parashtrimi i kërkesave për ndihmë dhe kujdes nga person i tretë është falas, e me këtë që tani funksionojnë 15 komisione në disa qytete përgjatë shtetit shërbimi iu është ofruar qytetarëve. I bëjmë thirrje ministres që të mos bie pre e teksteve të cilat i plasojnë nga shtabi i VMRO-DPMNE-së por që vetë të informohet për ligjet dhe ndryshimet të cilat janë bërë”, thuhet në reagimin.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Rashella Mizrahi sot në konferencën për shtyp tha se sipas të dhënave të cilat i kishte marrë nga qendrat e punëve sociale për momentin ka 11.514 kërkesa të parashtruara dhe të pazgjidhura për kompensim për ndihmë dhe kujdes nga person tjetër dhe se ishin shkelur të gjitha afatet ligjore për zgjidhjen e tyre.