Që nga shtatori, shkurtohen shpenzimet e udhëtimit të deputetëve. Për ata deputetë që do të udhëtojnë nga qytetet tjera në kryeqytet, shpenzimet e taksave rrugore dhe transportit iu reduktohen nga 20 deri 30 për qind të çmimit aktual të karburantit. Ose në shifra, nëse deputetët vitin e kaluar morën 465 mijë euro nga Kuvendi për shpenzime në udhëtime, me tarifën e re do të marrin 312 mijë euro.
Gazetari Goran Lefkov, i cili ka punuar në këtë çështje për vite, beson se ende ekziston mundësia që zgjidhja ligjore të shmanget.
Nga viti 2007 deri në vitin 2017, Kuvendi i Maqedonisë ka paguar rreth 8 milionë euro për shpenzime udhëtimesh për deputetët. Me këto 8 milionë euro, do të bëheshin 80 apartamente për deputetët, edhe atë të mëdha me nga njëqind metra katrorë. Do të bliheshin 80 makina luksoze të cilat pas përfundimit të mandatit të tyre do të duhej t’ia kthenin shtetit dhe kjo nuk do të kushtonte më shumë se 5 milionë euro dhe dy deri në tre milionë euro do të mbeteshin për karburantin e atyre deputetëve”- tha Goran Levkov, gazetar.
Deputetët nga jasht Shkupit kanë një alternativë të dytë.
Të marrin banesë me qira, ose shtëpi në Shkup. Qiraja duhet të jetë deri në 400 euro dhe atë do ta paguajë Kuvendi. Do të marrin edhe 100 euro shtesë për shpenzimet e faturave.
Deputetët që do të vendosin të marrin me qira një apartament dhe nuk do të përdorin makinë personale për qëllime zyrtare, do t’u mbulohen shpenzimet e karburantit dhe taksave rrugore kur shkojnë në shtëpi për fundjavë ose për festa. Gjithashtu është planifikuar të forcohet kontrolli. Deputetët përveç kuponit fiskal do të duhet ta kenë tiketin e quajtur “slip”, që merret kur paguajnë me kartë pagesë ose me një kartë nga Rrugët e Maqedonisë në të cilën deputetët duhet të nënshkruhen dhe ta dorëzojnë në shërbimet e Kuvendit.
Në këtë mënyrë, do të ketë kontroll të saktë se kush ka kaluar në pikë pagesën rrugore, apo kush ka mbushur karburant.
“Ndryshimet në mënyrën e llogaritjes së shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve vijnë pas revoltave të shprehura të qytetarëve pasi që në publik u tha se disa nga të zgjedhurit e popullit për më pak se një vit, nga arka e kuvendit marrin mbi 12 mijë euro. Llogaritja thotë se vetëm për ardhjen në punë një pjesë e deputetëve kanë marrë nga 1.500 euro shtesë në muaj“
Për dyshimin që ekziston për shpërdorim të shpenzimeve të udhëtimit, Prokuroria Speciale Publike tashmë ka hapur një rast kundër ish-deputetes së VMRO-DPMNE, Silvana Boneva e cila dyshohet se nga viti 2011 deri në 2015, ka dërguar fatura fiskale të rreme te shërbimet.