Shqiptarët e Preshëvës, Lutfiu: Serbia, në kufijtë e racizmit!

Mes njoftimeve që shqetësojnë prej kohësh se shqiptarët “po fshihen” praktikisht në jug të Serbisë sidomos përmes çaktivizimit të adresave dhe mohimit praktikisht të të drejtave për dokumente e sigurim shëndetësor, atyre, si dhe votimit në zgjedhje, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu thotë se diskriminimi i Serbisë ndaj komunitet shqiptar në Luginë të Preshevës ka prekur kufijtë e racizmit

Marketing

Jeta e shqiptarëve atje nuk afron me atë të një qytetari të rajonit.

“Diskriminimi i shtetit të Serbisë ndaj komunitetit shqiptar në Serbi i ka prekur kufijtë e racizmit. Për shkak që trendi i diskriminimit nuk është që po ndalon, por vazhdimisht po rritet. Nuk ka integrim të plotë të shqiptarëve në institucione, por tendencë për largimin e tyre nga puna”, u shpreh Nevzad Lutfiu.

Vetëm në Bujanoc, thotë ai Serbia po investon 5.3 milionë euro në shkollat serbe. Një gjë e tillë nuk po ndodh edhe në shkollat shqipe, që praktikisht rrezikojnë mbylljen. Çdo ditë e më tepër ka rënie të numrit të nxënësve në shkollat shqipe, edhe për shkak të emigrimit masiv. Lutfiu pohon se shqiptarët në të tri komunat e Luginës ndihen të rrezikuar të marrin edhe shërbime shëndetësore.

“Ka hezitim të shqiptarëve të marrin shërbime shëndetësore në Luginë”, tha ai.

Ai përmend më tej edhe mos-njohjen e diplomave të shqiptarëve të Luginës dhe mungesën e mundësive të punësimit në vendlindje, ndërsa mendon se duhet hartuar një strategji e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë mbi mënyrat sesi të ndihmohen interesat e shqiptarëve të Luginës.