Në Luginën e Preshevës, shqiptarët janë të privuar nga shtetit i Serbisë për të përdorur në mënyrë institucionale flamurin kombëtar. Ndalesat ligjore të përdorimit të flamurit kombëtar për shqiptarët e Luginës po konsiderohen të papranueshme derisa shqiptarëve u është bërë thirrje që për festën e 28 Nëntorit të vendosin flamujt kombëtarë nëpër shtëpitë e tyre.
Vllaznim Behluli i cili është veteran i UÇPMB-së, dikur ishte betuar në ngjyrat e flamurit kombëtar kuq e zi. Por, shumë vjet pas përfundimit të luftës ai u përball me ndalimin për ta përdorur këtë flamur derisa ishte krushk në dasmën e nipit të tij.
“Për neve si shqiptarë në Luginën e Preshevës ku jemi është e papranueshme me na pengua shteti serb për përdorimin simbolit kombëtar në trojet tona”, thotë Behluli.
Ndalesat ligjore të përdorimit institucional të flamurit kombëtar shqiptar në Serbi, për shqiptarët e Luginës së Preshevës po konsiderohen të papranueshme.
“Ky ligj faktikisht është bërë diskriminues dhe vazhdon faktikisht për t`i sanksionuar shqiptarët dhe kjo është shkelje drejtpërdrejtë jo vetëm e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, por ajo që është më me rëndësi që ky ligj është në shpërputhje edhe me kushtetutën e Republikës së Serbisë”, tha Belgëzim Kamber, kryetar i KDNJ-së.https://zeri.info/inarticle.html
Përfaqësuesit e shoqërisë civile, ndërkohë mendojnë se qytetarët do të duhej që në pronat e tyre private të e vendosin në raste festash flamurin kombëtar, derisa ai sanksionohet vetëm në institucione publike.
“Kisha bërë apel qytetarëve shqiptarë në Republikën e Serbisë, rrjedhimisht në Luginën Preshevës me i vendos flamujt nëpër shtëpitë e tyre private meqë kjo lejohet, në fakt nuk mund që të penalizohet”, thotë Valon Arifi, aktivist i shoqërisë civile.
”Mendoj se autoritetet ose përfaqësuesit e institucioneve politike në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc duhet të bëjnë pak më shumë të ngritin zërin për të drejtat e tyre për përdorimin konkretisht të simboleve kombëtare. Mendoj se duhet të bashkëpunojnë ose të bashkërendojnë edhe më shumë me organizatat e huaja dhe me ambasadorët të cilët jetojnë dhe veprojnë në Serbi”, tha Shpend Berisha
Janë të shumtë qytetarët shqiptarë në Luginën e Preshevës, janë dënuar me heqje lirie për shkak të vendosjes së flamurit kombëtar në objektet publike./rtk