Kryeministri Edi Rama duke folur për kuadrin ligjor, tha se Njësia Speciale po punon për të idetifikuar përgjegjesit dhe abuzuesit me ndërtimit.
Shefi i qeverisë iu bëri apel atyre subjekteve që kanë ndërtuar godina kolektive që t’i paguajnë të gjithë riparimet e godinava që kanë probleme.
“Jemi duke punuar edhe për kuadrin e ri ligjor dhe penal për abuzimet në ndërtim. Ndërkohë që Njësia Speciale Kundër Korrupsionit ka filluar të përgatisë hartën e veprimeve për të identifikuar përgjegjësi në godinat problematike, por dua të bëj një apel për të gjithë ata që kanë ndërtuar godina kolektive dhe që sot hyjnë te godinat e dëmtuara, por jo të rrezikshme, që të paraqiten vetë urgjentisht në zyrën përkatëse dhe të bëjnë deklaratën e gatishmërisë për t’i paguar vetë godinat një për një riparimet. Nga ato sipërfaqësore te dëmet materiale që u kanë shkaktuar njerëzve. Shumë shpejt do të jetë vonë për ta, kush do i shmanget këtij detyrimi do të jetë i akuzuar drejtpërdrejt përpara drejtësisë dhe do ta çojmë ne në akuzë dhe do të kërkojmë burgim për papërgjegjshmëri. Bëhet fjalë për dëmtime që nuk kërcënojnë qëndrueshmërinë e godinës, por që vënë në pamundësi dhe që kanë të bëjnë me abuzime dhe të ardhura gjatë ekzekutimit të lejes së ndërtimit.” shtoi Rama, transmeton Balkanweb.
Ai shtoi se ndërtimet e kryera nga individë të ndryshëm kanë pësuar dëmtime masive. Sipas kryeministrit, godinat e ndërtuara pas viteve ’90 i kanë shpëtuar lëkundjeve të frikshme të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.
“Të gjitha riparimet, nga ato sipërfaqësore deri tek ato materiale. Bëj këtë apel se shumë shpejt do të jetë vonë për ta. Ndërtimet e reja të bëra nga mesi i viteve 99 e pas, 99 e tyre kanë qëndruar më së miri. Pjesa tjetër është në 99 për qind abuzivizëm nga individë që kanë ndërtuar shto ujë e shto miell dhe një përqindja e vogël e firmave që kanë abuzuar edhe me lejen”- pohoi Rama.