Derivatet e naftës po shtrenjtohen, ndërsa Komisioni Rregullator për Energjetikë thotë se janë të pafuqishëm për çmimet finale. Nga ky institucion presin që të ketë rritje të çmimeve të naftës dhe derivateve të saj edhe gjatë periudhës së ardhshme. Nëse vjen deri tek rritja e theksuar e çmimeve, nga ky komision thonë se Qeveria duhet të gjejë mënyrë për të mbrojtur konsumatorët.
“Duhet të bëhet një analizë dhe të shihet se sa janë rritur çmimet dhe harxhimet dhe të shqyrtohet se përmes disa mekanizmave a mundet që të ndërmerren masa për të mbrojtur konsumatorët”, theksoi Marko Bislimovski, kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë.
Sipas tij, çmimi i naftës formohet sipas çmimit të naftës në bursat botërore dhe kursit të dollarit.
Rritja e çmimeve të derivateve të naftës implikon edhe rritje të harxhimeve të kompanive prodhuese, por godasin xhepin e qytetarëve. Momentalisht çmimi për një barel naftë në bursat botërore është 80 dollarë, ndërsa në Maqedoni në litër Eurosuper 95 është 74,5 denarë për litër, ndërsa Eurosuper 98 është 76,5 denarë për litër.