Shtyhen edhe për tre muaj hetimet për Saimir Tahirin

Vonesa e përgjigjeve për dy letërporosi të nisura në Itali e Mal të Zi detyruan prokurorët e çështjes “Tahiri” të shtyjnë edhe me 3 muaj afatin e hetimeve për ish-ministrin e Brendshëm.

Marketing

Prokuroria ka dyshime se Saimir Tahiri ka udhëtuar drejt Malit të Zi me persona të cilët janë nën hetim në këtë dosje. Ndërsa nga Italia pritet që të mbërrije dëshmia e Frederiko Silvestrit person i cili dyshohet se i ka shitur një mjet lundrues grupit të “Habilajve”. Vetëm pas mbërritjes së këtyre përgjigjeve prokuroria do të vendose nëse duhet ta dërgojë dosjen për gjykim.

Po ashtu dosja pritet të plotësohet edhe me të dhënat për pasurinë e Tahirit dhe familjarëve të tij. Deri tani nga ky verifikim familjarët e ish-ministrit kanë rezultuar të pastër. Pronat dhe llogaritë bankare të tyre janë të justifikueshme. Saimir Tahiri sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka siguruar paprekshmëri e grupit te “Habilajve”.

Ky grup ndër vite ka trafikuar drejt Italisë të paktën 3.5 ton kanabis me vlerë tregu 20 milionë Euro. Dyshimet janë se e gjithë veprimtaria e Habilajve mbështetej tek bashkëpunimi me policinë e shtetit dhe dyshohet se një pjesë e përfitimeve monetare përfundonin tek ish-ministri i Brendshëm, raporton Tvklan.

Tahiri po hetohet në gjendje të lirë që prej muajit maj, duke qenë aktive me postime në rrjetet sociale, ku më i fundit është një fotografi e tij duke kalëruar. Krimet e Rënda do të kenë kohë deri ne 17 Janar të vitit të ardhshëm për të vendosur mbi fatin e kësaj dosje.