Sikur të mos mjaftojë lufta,Ukraina kaplohet nga i ftohti

Bomba, plumba, shkatërrim dhe largim nga shtëpitë. Tragjedia që po ndodh prej dy javësh tashmë në Ukrainë, do të bëhet edhe më e rëndë, për shkak se meteorologët parashikojnë që vendi do të përfshihet nga temperatura tepër të ulëta.

Marketing

Në Kiev dhe Kharkiv, dy qytetet kryesore që Rusia dëshiron të marrë patjetër, temperatura parashikohet të shkojnë deri në -20 gradë Celsius. Sigurisht që i ftohti i egër do të pengojë edhe avancimin e trupave ruse, por impaktin më të madh është e sigurt që do ta ndjejnë civilët, të cilët po largohen në masë nga Ukraina, për të shpëtuar jetën.

Luftimet në Ukrainë vijojnë prej 13 ditës tashmë. Rusia ka bombarduar disa qytete kryesore, si Kievi dhe Kharkivi, ku mbeti e shkatërruar edhe konsullata e nderit e Shqipërisë aty. Gjithashtu, luftime zhvillohen edhe në qytete të tjera të vendit, sidomos në jug, ku rusët kërkojnë të marrin portin kryesor, në Odessa.

Ukraina pretendon se që prej nisjes së pushtimit, 12 mijë ushtarë rusë kanë humbur jetën. Gjithashtu thotë se ka shkatërruar 48 avionë dhe 80 helikopterë rusë, 303 tanke, mbi 1000 mjete të rënda ushtarake, 60 depozita nafte, 56 raketahedhëse dhe pajisje të tjera.