Suedia hyn zyrtarisht në NATO – goditje strategjike për Rusinë

Vendi nordik është tashmë zyrtarisht anëtar i aleancës ushtarake perëndimore.

Marketing

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson ka qenë sot në Uashington për të dorëzuar dokumentet përfundimtare për këtë çështje.

Kjo do të thotë se nëse sulmohet shteti suedez, anëtarët e tjerë të aleancës do të jenë të detyruar ta mbrojnë atë, shkruan skynews.

Duke folur pas pranimit të Suedisë, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken tha se “aleanca e NATO-s është tani më e fortë dhe më e madhe se kurrë”.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e cilësoi vendimin si “historik”.

“Pas mbi 200 vitesh mosangazhim, Suedia tani gëzon mbrojtjen e dhënë sipas nenit 5, garancia përfundimtare e lirisë dhe sigurisë së aleatëve”, shkroi Stoltenberg në platformën X.

“Suedia sjell me vete forca të armatosura të afta dhe një industri të mbrojtjes të klasit të parë. Pranimi i Suedisë e bën NATO-n më të fortë, Suedinë dhe të gjithë Aleancën më të sigurt”, shtoi ai.

Ndryshe, një ceremoni e ngritjes së flamurit është planifikuar në selinë e aleancës në Bruksel të hënën për të shënuar ceremonialisht pranimin, shkruan politico.

Fqinja e Suedisë, Finlanda iu bashkua aleancës më 4 prill. Me dy vendet nordike në aleancë, NATO kontrollon pothuajse të gjithë Detin Baltik – një goditje strategjike për Rusinë.

Suedia ka gjithashtu një ushtri të pajisur mirë dhe një industri të fortë armësh. Vendi synon të shpenzojë 2.1 për qind të GJDP-së për mbrojtjen këtë vit, mbi objektivin e NATO-s dhe pothuajse dyfishin e asaj që shpenzonte deri në vitin 2020. /Telegrafi/