Sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë, SHBA i vendos sanksione Iranit

Departamenti Amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione ekonomike ndaj Ministrisë iraniane të Inteligjencës dhe Sigurisë si dhe ministrit Esmail Khatib, duke i akuzuar se janë të lidhur me sulmin kibernetik të korrikut ndaj Shqipërisë, si dhe për përfshirje në aktivitete të tjera kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.

Marketing

Masa vjen pasi Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin të mërkurën dhe pasi urdhëroi diplomatët iranianë dhe stafin e ambasadës të largoheshin nga vendi ynë brenda 24 orëve.

“Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka sanksionuar Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit duke i akuzuar për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër SHBA dhe aleatëve të saj. Që prej vitit 2007, Ministria iraniane e Inteligjencës dhe Sigurisë dhe përfaqësuesit e saj kanë kryer operacione dashakeqëse kibernetike kundër një sërë organizatash qeveritare dhe të sektorit privat në mbarë botën dhe në sektorë të ndryshëm.

Në Korrik 2022, aktorë që besohet se sponsorizohen nga Qeveria e Iranit dhe Ministria iraniane e Inteligjencës dhe Sigurisë ndërprenë sistemet kompjuterike të qeverisë shqiptare, duke e detyrar qeverinë të pezullojë shërbimet publike online për qytetarët e saj. Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë shpërfill normat e sjelljes së përgjegjshme të shtetit në kohë paqeje. Ne nuk do të tolerojmë asnjë aktivitet kibernetik gjithnjë e më agresiv të Iranit që synon SHBA ose aleatët dhe partnerët tanë”, ka thënë nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson.

Me vendosjen nën sanksione, nënkuptohet që të gjitha pronat dhe pasuritë që lidhen me ministrinë dhe titullarin e saj dhe që janë nën juridiksion amerikan janë të bllokuara. Edhe qytetarëve amerikanë u ndalohet përfshirja në transaksione me ta.

“Si rezultat i përcaktimit të sotëm të gjitha pronat dhe interesat në pronësi të Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë dhe ministrit të saj, që janë nën juridiksionin e Shteteve të Bashkuara bllokohen dhe amerikanëve u ndalohet të hyjnë në transaksione me ta. Për më tepër, çdo subjekt, që zotërohet në masën 50 për qind ose më shumë, nga personat apo entitetet e vëna nën saknsione, gjithashtu do të bllokohet. Edhe personat jo amerikanë që angazhohen në transaksione të caktuara me këta persona mund të bëhen objekt sanksionesh dhe çdo institucion financiar i huaj që me vetëdije kryen ose lehtëson një transaksion të rëndësishëm për ose në emër të personave të caktuar, mund t’u nënshtrohet sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara”-thuhet ndër të tjera në njoftim.

Marketing