Sveçla: Serbi i arrestuar sot është pjesë e strukturës kriminale “Mbrojtja Civile”

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se serbi i arrestuar sot në veri të Kosovës, i cili dyshohet se plagosi dy zyrtarë policor dhe dogji disa vetura me targa RKS, është pjesë e strukturës kriminale të ashtuquajtur “Mbrojtje Civile”.

Marketing

Sipas Sveçlës, për serbin e arrestuar sot, organet e sigurisë kanë dëshmi për përfshirjen e tij në sulme ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.

”Siç edhe kemi thënë sa herë kanë ndodhur akte të tilla, njësitet relevante policore kanë qenë të angazhuara në identifikimin e kriminelëve që kanë kryer akte të tilla. Njëri nga ta sot është arrestuar dhe i cili përveç që ka qenë i përfshirë në djegien e veturave në veri, si pjesë aktive e strukturës kriminale të të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”, më parë ai kishte sulmuar me armë Policinë e Kosovës duke i plagosur dy zyrtarë të saj. Poashtu organet e sigurisë kanë dëshmi për përfshirjen e tij në sulme ndaj infrasturkturës kritike të republikës. Në kuptim të kësaj, shtetasi serb i arrestuar sot akuzohet për “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”. Secili që si individ apo si pjesë e grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi ka kryer çdo lloj akti kriminal me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, do të identifikohet dhe sillet para drejtësisë”, ka shkruar Sveçla.

Arrestohet një i dyshuar për djegien e veturave në veri

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për djegien e veturave në veri.

Për portalin rtv21.tv, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani konfirmoi se i dyshuari është arrestuar në veri të Mitrovicës.

Sipas Kelanit kundër të dyshuarit, ishte ngritur kallëzim penal për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

”Arrestimi i të dyshuarit mashkull kosovar i nacionalitetit serb (M. B. 1987), është kryer sot rreth orës 17:00, pas hetimeve intenzive të kryera nga njësitet relevante policore. Personi i dyshuar, tanimë i arrestuar dyshohej për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njesisë së Policisë së Kosovës, ku si pasojë dy zyrtarë policor kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit Lidhur me këtë rast kundër tij ishte ngritur kallëzim penal për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”. I njejti, gjithashtu është i dyshuar edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës, ”ka thënë Kelani.

Të gjitha veprimet e mëtejme, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.