Sveçla: Sulmet po vazhdojnë nga persona të pajisur ushtarakisht, janë të dirigjuar nga Beogradi

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka thënë se grupet kriminale nga sulmet e të cilave u vra një polic i Kosovës, sot në veri, janë të dirigjuara nga Beogradi.

Marketing

Ai bëri të ditur se njësiti i Policisë së Kosovës, është zënë në pritë nga këto grupe kriminale, ku edhe ka mbetur i vdekur polici Afrim Bunjaku dhe dy të tjerë janë plagosur.

“Grupet kriminale të mirë organizuara dhe të dirigjuara nga Beogradi, pas bllokimit të urës me mjete të rënda dhe pamundësimit të qasjes në fshatit Bajnskë, kanë sulmuar në pritë njësitë policore, ku për pasojë rreshteri i policisë së rendit Afrim Bunjaku është vrarë, dhe dy të tjerë janë plagosur gjendja e të cilëve është stabile”, tha ai.

Ai njoftoi se njësitet policore të Kosovës po sulmohen kohë pas kohe nga grupet e armatosura serbe.

Po ashtu ai bëri të ditur se ky grup i armatosur është rrethuar nga Policia e Kosovës, derisa u ka bërë thirrje të dorëzohen.

“Njësitë tona policore janë aktivizuar në terren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupet e organizuara dhe të armatosura rëndë.

Një numër i tyre janë të barrikaduar brenda manastirit në Banjska edhe sipas deklarimeve zyrtare të Dioqezës Rashkë-Prizren. Këta terroristë janë të rrethuar nga njësitë policore dhe është koha e fundit që të dorëzohen”, tha ai.

Sveçla i ka shprehur ngushëllime familjes së policit të vrarë, Afrim Bunjaku.

Marketing