Takim bashkërendues i AZGJ-së me përfaqësues nga institucionet publike

Agjencia e Zbatimit të Gjuhës (AZGJ) priti sot të caktuarit e mbi njëqind institucioneve publike të cilët do të merren me promovimin dhe avancimin e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Marketing

Ky aktivitet bazohet në nenin 19 të këtij ligji që parasheh promovimin dhe ndërmarrjen e masave për avancimin e mëtutjeshëm të tij.
Me këtë rast përfaqësuesit e institucioneve patën rastin të dëgjojnë drejtpërdrejt drejtorin e AZGJ-së, Ylber Selën, i cili bëri një prezantim të institucionit përkatës dhe të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve.

Më tej, drejtori dha sqarime konkrete rreth kompetencave ligjore që ka Agjencia dhe mënyrën se si ndihmon institucionet shtetërore në përdorimin e gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare, në shkresat e ndryshme të tyre.

Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e institucioneve patën rastin të parashtrojnë pyetje të ndryshme rreth dilemave dhe sfidave me të cilat përballen gjatë punës së tyre zyrtare, ndërkaq drejtori u përgjigj për të gjitha këto në mënyrë të saktë dhe të kuptueshme për të interesuarit.

Pjesë e debatit ishin edhe disa aspekte terminologjike me të cilat përballen këta përfaqësues të cilët kanë të marrin përsipër promovimin dhe avancimin e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve.

Drejtori Sela kërkoi që të gjithë përfaqësuesit, kurdo që hasin në vështirësi të ndryshme, t’i drejtohen AZGJ-së për këshilla të cilat do t’u ndihmojnë të tejkalojnë çdo vështirësi të tyre.