Takim Putin-Erdogan mbi situatën në Siri

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk shprehen optimistë se me diskutimet mes tyre do të arrijnë të zgjidhin “çështjet e komplikuara të rajonit”. Dy udhëheqësit u takuan në qytezën bregdetare Soçi për të diskutuar mbi operacionet turke në Sirinë verilindore dhe planet e Turqisë në të ardhmen e afërt:

Marketing

Presidenti turk mbërriti në Soçi në brigjet e Detit të Zi për takimin me udhëheqësin rus mbi situatën kritike në Sirinë verilindore.

Pasi e përshëndeti homologun turk, presidenti rus nënvizoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve si armë diplomatike në trajtimin e kësaj situate:

“Dua të përcjell shpresën se marrëdhëniet ruso-turke, në nivelet që kanë arritur kohët e fundit, do të luajnë rol për të zgjidhur të gjitha çështjet e komplikuara në rajon,” tha Presidenti Putin.

Nga ana e tij, Presidenti Erdogan u përqëndrua tek objektiva e Turqisë për të arritur synimet e operacionit.

“Besoj se takimi ynë do të ofrojë mundësi reale për mbarëvajtjen e operacionit në Siri,” tha udhëheqësi turk.

Para takimit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov kishte shprehur synimet e Presidentit rus për të kërkuar në bisedimet me zotin Erdogan më shumë informacion për planet turke në rajon. Turqia është betuar të vazhdojë ofensivën kundër luftëtarëve kurdë.

Zëdhënësi Peskov tha se Turqia duhet të marrë leje nga qeveria siriane për të dislokuar forca në territorin sirian, duke sinjalizuar se Moska shpreson që të ketë bisedime mes Turqisë dhe Sirisë lidhur me ndërhyrjen turke në Sirinë verilindore.

Turqia dërgoi trupa në Sirinë verilindore disa ditë më parë në një ofensivë për të luftuar forcat rebele kurde, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të tërhequr trupat nga rajoni.

Vendimi është kritikuar nga ligjvënës nga të dyja partitë politike si dhe nga analistë, të cilët paralajmërojnë se tërheqja amerikane do të krijojë një vakum që do të shfrytëzohet nga fuqi të tjera si Rusia.

Analistët thonë se takimi Putin-Erdogan do të sinjalizojë nëse Rusia është e gatshme t’i lejojë Turqisë dorë të lirë në rajon:

“Jam i interesuar të shoh nga ky takim nëse Presidenti Putin do të përpiqet ta frenojë Erdoganin dhe Turqinë në një fare mënyre,” thotë analisti Brian Katulis.

Qindra luftëtarë kurdë mbeten në rajon, megjithë marrëveshjen e armëpushimit të arritur me ndërmjetësimin amerikan që parashikon tërheqjen e tyr, tha presidenti turk para nisjes për në Soçi. Turqia mund të rifillojë ofensivën sapo të skadojë afati, shtoi ai. Armpushimi pesë ditësh përfundon sonte në orën 19 sipas orës lokale.