Kryetari aktual i komunës së Gostivarit dhe sekretar gjeneral i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari vazhdon të mos i kërkojë falje kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, të cilin para disa ditëve në konferencë për shtyp e ofendoi duke thënë se ka probleme të rënda shëndetësore dhe se së shpejti do të duhet të del në pension, shkruan kohanews.com
“Mendoj se Ali Ahmeti ka probleme reale shëndetësore dhe unë i uroj që së shpejti të ketë pension të këndshëm, shpresoj për një muaj-dy muaj ai do të shkoj atje ku duhet.” – është shprehur Taravari në konferencën e tij për shtyp të para disa ditëve.
Deklarata e këtillë ka ngjallur reagime tek qytetarët që i kanë kërkuar Taravarit të kërkojë falje, të fokusohet në përpilimin e një ofertën programore e cila dukshëm ju mungon pasi detyrohen të merren me ofendime për të tërhequr vëmendje pa llogaritur pasojat e kësaj retorike.
Nga ana tjetër, kreu i BDI-së Ali Ahmeti në takimet me qytetarë dhe në konferencat e realizuara për shtyp prezanton programin e projekteve të jetës cilësore dhe kërkon përkrahjen e qytetarëve për agjendën e blertë të zhvillimit, pa përdorur fjalor ofendues për oponentët e tij.