Partia e të Gjelbërve Evropian, me rastin e Samitit për Ballkanin Perëndimor i cili po mbahet në Poznanj, në suaza të Procesit të Berlinit, ka kërkuar në një afat sa më të shkurtër të fillojnë negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Bashkimi Evropian rrezikon që sërish të shkaktojë ringjallje të nacionalizmit në Ballkanin Perëndimor nëse e ngadalëson procesin e hapjes së dyerve për negociata inkuadruese për rajonin. Komentet e presidentit francez Emanuel Makron para pak kohe për perspektivat për zgjerim thellësisht e pengojnë dhe e minojnë detyrën e rëndë të arritjes së konsensusit”, qëndron në kumtesën e të Gjelbërve Evropianë.
Ata përkujtojnë se është hera e dytë që shtyhen negociatat edhe krahas rekomandimit të Komisionit Evropian.
“Nuk ka arsye që reforma e brendshme e BE-së dhe negociatat inkuadruese të mos zhvillohen njëkohësisht. Edhe një refuzim në tetor të këtij viti mund ta vendosë në rrezik të gjithë procesin dhe të sjellë në ripërtëritjen e tensioneve të cilat do të ishin katastrofale për BE-në në tërësi”, qëndron në kumtesë.
Për të Gjelbrit është me rëndësi thelbësore që ministrat këto ditë në Poznanj t’i kenë parasysh përpjekjet të cilat i ka bërë Maqedonia e Veriut për zgjidhjen e emrit me Greqinë.