Të pavaksinuarit dominojnë në spitale dhe me më shumë vdekje nga Kovid-19

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar analizën për Kovid-19 për periudhën prej 6 gusht deri 23 dhjetor 2021.

Marketing

Siç qëndron në analizë, gjatë periudhës prej 06.08 deri 23.12.2021 nga Kovid-19 janë infektuar 66.857 qytetarë, prej tyre 33% janë vaksinuar në tërësi, gjegjësisht 21.806 persona.

Është i madh numri i qytetarëve të pavaksinuar të cilët janë infektuar me Kovid-19. Sipas statistikës për javët paraprake, 45.051 qytetarë, gjegjësisht 67% e rasteve pozitive me Kovid-19 nuk kanë qenë të vaksinuar.

“Përqindja e të hospitalizuarve të cilët nuk kanë qenë të vaksinuar arrin në 85%, ndërsa vetëm 15% nga të gjithë të hospitalizuarit për momentin janë tërësisht të vaksinuar. Vdekshmëria te të pavaksinuarit është e lartë në mënyrë drastike”, tregon analiza më tej, transmeton TV21.

Në po të njëjtën periudhë, kanë vdekur 2362 persona nga Kovid-19, 1850 viktima nuk kanë qenë të vaksinuar, kurse vetëm 21% kanë pranuar vaksinë.