Të punësuarit në çerdhet për fëmijë pagën e shtatorit do e marrin me 5% rritje. Kështu është vendosur në seancën e fundit të Qeverisë, e cila e ka detyruar Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale që të ndajë rreth 15 milion denarë, që në mënyrë lineare t’i rris pagat e mbi 4 mijë personave të punësuar nëpër çerdhe. Rritja e pagave të punonjësve në çerdhe vjen pas rritjes së pagave në arsim dhe shëndetësi, gjithashtu me nga 5%.
“Qeveria e ka obliguar Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale që nga muaji shtator i viti 2018, në mënyrë lineare të gjithë të punësuarve në çerdhet për fëmijë pagat t’u rriten për 5%. Kjo do të thotë se 4294 të punësuar në çerdhet për fëmijë do të kenë rrogë më të lartë duke filluar nga rroga e shtatorit. Paratë e dedikuara për këtë qëllim janë 15 milion denarë, të siguruara nga buxheti i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale”, tha Mile Boshnjakovski – Zëdhënës i Qeverisë.