Thellohet skandali i aksidentit në Gjilan, kamioni ishte i paregjistruar dhe nuk posedonte kontroll teknike

Kamioni që shkaktoi aksidentin e rëndë në Gjilan, ku mbeti i vdekur Qerim Çoçaj dhe u lënduan 23 persona të tjerë, dyshohet se nuk kishte regjistrim dhe nuk i punonte sistemi i frenimit.

Marketing

Nën këto dyshime, Policia e Kosovës mbrëmë ka arrestuar pronarin e firmës së cilës i përkiste kamioni i përfshirë në aksident.

“… është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pronar i firmës së cilës i përkiste kamioni i përfshirë në aksident, me dyshimin se automjetit transportues nuk i ka punuar sistemi i frenimit dhe i njëjti nuk është i regjistruar dhe nuk posedon kontroll teknike. I dyshuari pas intervistimit me vendimin e prokurorit, dërgohet në qendrën e mbajtjes”, njofton Policia në raportin 24 orësh.

Kamioni transportues ishte në shpejtësi të madhe dhe ka goditur gjithçka para vetes, duke shkaktuar aksident zinxhiror dhe shumë dëme në qytet.

Nga goditjet e kamionit ka mbetur i vdekur një person, dhe mbi 20 të tjerë kanë marrë lëndime. Disa prej të lënduarve po trajtohen në Spitalin Rajonal të Gjilanit, e disa të tjerë të cilët janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, janë dërguar në QKUK.

Marketing