Në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Tortura” u prezantua një video material që ka lidhje edhe me rastin “Fushata” për të cilin Lube Boshkovski ka marr dënim me burg prej 5 vjetësh. Sipas avokatit të Boshkovskit, Konstantin Kratovaliev, ekziston mundësia që ai video material që është gjetur nga ana e PSP-së me qëllim të jetë mbajtur sekret.
Fshehja e dëshmive, sipas tij, paraqet vepër penale. Avokati i Boshkovskit theksoi se ky video material që nuk ka figuruar tek lënda tjetër “Fushata” mund të nxjerr në pah një anë tjetër të të gjithë rastit. “Tortura” ka të bëjë me mënyrën e privimit nga liria të liderit të Partisë së Bashkuar për Maqedoninë dhe ish ministër i Punëve të Brendshme Lube Boshkovski më 6 qershor të vitit 2011, një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
/Alsat-M/