Presidenti amerikan, Donald Trump kërkon që të heqë nga armët amerikane të gjitha materialet dhe pjesët që vijnë nga jashtë, pasi konstatoi një nivel shumë të lartë varësie të industrisë amerikane të mbrojtjes ndaj nënkontraktorëve të huaj, kryesisht kinezë.
Sipas një raporti të Shtëpisë së Bardhë që pritet të publikohet sot, Pentagoni duhet të investojë më shumë në disa industri amerikane të prodhimit, për të eliminuar rrezikun që përfaqëson një varësi e tillë për sigurinë kombëtare amerikane.
Ky raport, i kërkuar para një viti nga presidenti amerikan, pranon se zinxhiri i prodhimit të industrisë amerikane të mbrojtjes është shumë i globalizuar por Trump është fokusuar kryesisht tek Kina, të cilën e kritikon për praktika tregtare “agresive”.