Që nga viti 1992, Turqia me përvojën që ka, ka qenë mbështetës i vazhdueshëm i Maqedonisë në të gjitha aspektet.
Këtë e ka deklaruar Ministri për Mbrojtje Kombëtare i Republikës së Turqisë, Hulusi Akar, gjatë vizitës së tij në Shkup. Akar ka folur edhe për veprimin e lëvizjes FETO në Maqedoninë e Veriut.
Ai tha se në periudhën e ardhshme do të ketë hapa konkrete në mënyrë që të dyja shtetet të shpëtojnë nga kjo organizatë terroriste e cila sipas tij, po dëmton marrëdhëniet mes dy vendeve duke sabotuar miqësinë dhe marrëdhëniet vëllazërore që ekzistojnë mes dy shteteve.
“Kemi emra të disa personaliteteve të mëdha, emrat e të cilëve u janë dhënë institucioneve të të dyja vendeve. Unë jam thellësisht i bindur se në ditët e ardhshme institucionet në Maqedoninë e Veriut do të marrin masa konkrete sepse u besoj institucioneve të këtij vendi”, deklaroi Hulusi Akar, Ministri për Mbrojtje Kombëtare i Republikës së Turqisë.
Ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, nga ana e saj tha se nuk është fare rastësi që brenda javës kushtuar qëllimit strategjik, anëtarësimit në NATO, në vizitë vjen ministri turk i Mbrojtjes. Ajo rikujtoi se më 5 shkurt të këtij viti, hyri në fuqi marrëveshja e nënshkruar për bashkëpunim financiar ushtarak midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, që është shumë e rëndësishme, sepse me të, vendi fillon procesin e modernizimit të ushtrisë së saj.
“Turqia nuk është një fqinji i ynë i drejtpërdrejt, nuk ndajmë kufirin, por Turqia gjithmonë është sjellë më shumë se një fqinj. Ishte këtu kur vendi ynë kishte nevojë për ndihmë dhe mbështetje dhe nuk e harrojmë këtë”, deklaroi Radmilla Shekerinska, ministre e Mbrojtjes.
Në takimin me Shekerinskën, Akar u shoqërua edhe nga ambasadorja e Turqisë, Tulin Erkal Kara, ndërsa gjatë qëndrimit në Shkup, Akar u takua edhe me presidentin Gjorgje Ivanov, kryeministrin Zoran Zaev dhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi.