U arrestua për inceneratorët/Lefter Kokës i sekuestrohet edhe pasuria

Veç masës “Arrest me burg”, GJKKO ka vendosur edhe sekuestrim të pasurisë të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka.

Marketing

Sipas një njoftimi zyrtar të bërë nga SPAK, është vendosur “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të ish-ministrit, ku i janë sekuestruar “88, 19 %” të aksioneve në pronësi të tij në shoqërinë tregtare “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”.

Gjithashtu është caktuar masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për personin juridik “Albtek Energy”, së bashku me pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.

Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për personin juridik “Integrated Technology Services”, së bashku me pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.

SPAK informoi se janë shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë, për të cilët është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg”.

Bëhet fjala për Klodian Zoto dhe Stela Gungalli, të cilët në bashkëpunim me ish-ministrin Koka por edhe persona të tjerë, për të cilët vazhdojnë hetimet, janë të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.