U ekzekutua sot teksa pinte kafe, viktimës në Shkodër i vranë të birin në 2001

Shkodra u trondit mëngjesin e sotëm nga një atentat me armë zjarri duke lënë të vrarë Naim Bajrin dhe të plagosur një tjetër person që ndodhej në të njëjtën tavolinë të lokalit ku ndodhi ngjarja.

Marketing

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Rus” të Shkodrës, ku dy autorët e maskuar kanë qëlluar 10 herë me armë zjarri nga një makinë në lëvizje.

Ndërkohë, një automjet është gjetur i djegur në Bypassin e Shkodrës, e cila dyshohet se u përdor në atentat.

Naim Bajrit, i cili mbeti i vrarë mëngjesin e sotëm, i kanë vrarë të birin në vitin 2001. Bëhet fjalë për Endrit Bajrin, ndërsa ngjarja ka ndodhur më 21 tetor të 2001. Autorët e vrasjes ishin Xhabir Shega, Kujtim Barbullushi dhe Ilimir Hajdari. Një prej autorëve, Xhabir Shega, është vrarë në 2015.

Si ndodhi ngjarja?

Më 21 tetor të vitit 2001, Ilmir Hajdari, së bashku me Xhabir Shegajn dhe Kujtim Barbullushi ekzekutuan Endrit Bajrin me armë automatike. Në atë kohë policia bëri me dije se Ilmir Hajdari kishte debatuar me Indrit Bajrin e në grindje e sipër kishin kërcënuar njëri-tjetrin e ishin ndarë të acaruar. Ditën e ngjarjes, Ilmiri, pasi kishte marrë me vete edhe Xhabir Shegën e Kujtim Barbullushin, po udhëtonin me një makinë “Mercedes Benz”. Të tre të pandehurit ishin të armatosur me armë dhe po lëviznin nga qendra e qytetit në rrugën kryesore, në drejtim të lagjes “Partizani” (Rus). Te kryqëzimi, pranë Shkollës së Muzikës, në trotuarin pranë restorant “Podgorica”, Ilmir Hajdari ka vënë re Endrit Bajrin dhe ky i fundit ka vënë re atë (Hajdarin). Menjëherë ata kanë reaguar ndaj njëri-tjetrit dhe Ilmiri ka qëlluar në drejtim të tij. Po ashtu, ndaj Bajrit kanë qëlluar Xhabir Shega e Kujtim Barbullushi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Në lidhje me këtë ngjarje (vrasjen e Indrit Bajrit), Ilmir Hajdari është dënuar me 16 vite burg. Ky i fundit është arrestuar në vitin 2009, por pas 4-5 vitesh është liruar, sepse ka deklaruar në sallën e gjyqit se nuk është ai autori i vrasjes së Endrit Bajrit.