UEFA: Kosova mund të luajë kundër Serbisë në Euro 2020, me një kusht

UEFA ka dhënë përgjigje se në cilin opsion Kosova dhe Serbia mund të luajnë mes vete në një Kampionat evropian.

Kosova mund të luajë kundër Serbisë në ndeshje ndërkombëtare, thuhet në përgjigjen e UEFA-së për portalin serb “Alo”.

Marketing

Kosova është në garë për kualifikim në Euro 2020 dhe ka shanse të mira për të siguruar pjesëmarrjen në garën e madhe kontinentale.

Pas gjashtë xhirosh, skuadra e selektorit Bernard Challandes gjendet në pozitën e tretë në grup me 11 pikë, një më pak se Republika çeke, kundërshtari i ardhshëm

Serbia njësoj gjendet e treta në grupin e saj me një pikë më pak se Portugalia, e dyta.

“Alo” ka publikuar lajmin me një titull skandaloz duke i paraqitur si serbë futbollistët e Kosovës. “22 serbë në fushën e lojës”, shkruan “Alo”.

Kurse, UEFA është përgjigjur në pyetjen nëse Kosova mund të luajë kundër Serbisë në rast se të dyja skuadrat kualifikohen për një garë të madhe si Kampionati evropian.

“Skuadrat që nuk mund të jenë në të njëjtin grup janë: Armenia dhe Azerbajxhani, Kosova e Serbia, Bosnja e Hercegovina me Kosovën, Spanja me Gjibraltarin dhe Ukraina e Rusia.

Por, duhet të keni parasysh se kjo pengesë e takimit të skuadrave në konflikte vlen vetëm për fazën e grupeve, andaj nuk është e përjashtuar mundësia që këto ekipe të ballafaqohen në fazën eliminatore”, thuhet në përgjigjen e UEFA-së për “Alo”, transmeton lajmi.net.

Shorti i fazës së grupeve për Euro 2020 do të tërhiqet më 30 nëntor në Bukuresht, pasi të mësohen të gjithë emrat e skuadrave pjesëmarrëse.

Euro 2020 zhvillohet në 12 qytete të ndryshme të 12 shteteve dhe për herë të parë në histori me 24 skuadra pjesëmarrëse.