Ekranet janë shndërruar në një element shoqërues i përditshmërisë së fëmijëve, ndërsa trendet e rritjes së kohës të cilën fëmijët e kalojnë para ekraneve të pajisjeve elektronike, janë bërë një shqetësim i përhershëm i prindërve dhe krijuesve të politikave.
Studimet e publikuara më parë thonin se 50 deri në 90 për qind të fëmijëve të moshës shkollore nuk mund të kenë gjumë të mjaftueshëm, duke hedhur fajin te përdorimi i teknologjive.
Megjithatë, gjetjet e reja të hulumtimit nga “Oxford Internet Institute”, i cili vepron në kuadër të Universitetit të Oxfordit, flasin se koha e kaluar para ekranit të pajisjeve dixhitale ka shumë pak efekt praktik mbi gjumin e fëmijëve.
Studimi në fjalë është zbatuar duke përdorur të dhëna nga sondazhi i vitit 2016, i bërë në Amerikë mbi shëndetin e fëmijëve, ku prindërit kanë shkruar për veten, fëmijët e tyre dhe familjen.
“Gjetjet flasin se marrëdhënia mes gjumit dhe ekranit të përdorur nga fëmijët është jashtëzakonisht modeste”, shkruan profesori Andrew Przybylski, autor i studimit të botuar në ”Journal of Pediatrics”.
“Çdo orë e kaluar para ekranit është lidhur me tri deri në tetë minuta më pak gjumë natën”, thotë ai.
“Për shembull, kur krahasoni gjumin mesatar të një të riu i cili nuk përdor teknologjitë ( 8 orë e 51 minuta) me gjumin e një adoleshenti i cili kalon tetë orë para ekranit (në 8 orë e 21 minuta), vëreni se dallimi është i parëndësishëm. Faktorët tjerë të njohur, siç janë fillimi i shkollës herët në mëngjes, kanë një efekt më të madh mbi gjumin e fëmijës”, thuhet në studimin e Universitetit të Oxfordit.
Ka disa që kanë shprehur shqetësimin për rolin që drita e kaltër e lëshuar nga pajisjet e tilla, çrregullon hormonin e gjumit.