Ushtria e Nigerit paralajmëron forcat e huaja që të mos intervenojnë

Liderët ushtarakë të puçit në Nigeri i kanë paralajmëruar fuqitë rajonale dhe ato perëndimore kundër ndonjë intervenimi ushtarak për ta rikthyer në pushtet presidentin e rrëzuar, Mohamed Bazoum.

Marketing

Përmes një deklarate, ata kanë thënë se trupi rajonal Ecowas është duke u përgatitur për të miratuar “një plan agresioni kundër Nigerit”.

Ky bllok i kombeve të Afrikës Perëndimore, nuk i ka komentuar pretendimet, por ka thënë se është takuar për ta diskutuar puçin, të cilin e ka dënuar.

Ndërkohë, qindra mbështetës të puçit kanë protestuar jashtë Ambasadës së Francës në Naimej, pasi Franca – që dikur e ka pasur Nigerin koloni – i ka ndalur ndihmat.

Disa prej tyre kanë bërtitur “Rusia jetoftë gjatë”, Putin jetoftë gjatë” dhe “Poshtë Franca”, ka raportuar agjencia e lajmeve AFP.

Ky puç i ka rritur shqetësimet se Nigeri mund të rreshtohet drejt Rusisë.

Shtetet fqinje, Burkina Faso dhe Mali janë afruar me Rusinë prej puçeve që kanë ndodhur në territoret e tyre.

Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje të plotë për presidentin e rrëzuar Mohamed Bazoum, ndërsa Bashkimin Evropian e ka pezulluar bashkëpunimin me këtë shtet në fushën e sigurisë.