UT ndau 90 bursa për studentët ekselentë të studimeve themelore

Universiteti i Tetovës sot ndau 90 bursa për studentët ekselentë të studimeve themelore. Në prani të prindërve dhe familjarëve të tyre, studentët më të dalluar nga 13 njësitë akademike të Universitetit të Tetovës, në mënyrë solemne i pranuan vendimet për lirim nga participimi nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Marketing

Në fjalën e tij drejtuar studentëve dhe familjarëve të tyre, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti, tha se Universiteti ynë, si vatra e arsimit të lartë në gjuhën shqipe dhe qendra e hulumtimit shkencor në vendin tonë e më gjerë, tani më për çdo vit i realizon prioritetet e veprimtarisë akademike dhe në këtë mënyrë shënon rezultatet konkrete në lëmin e arsimimit, edukimit dhe kërkimit shkencor.

Sipas tij, krahas aktiviteteve të tjera që zhvillohen në Universitet, ndarja e bursave për ekselentët, nga të gjitha fakultetet, tashmë zë vendin e merituar, dhe si e tillë, paraqet një nga sukseset tona të përbashkëta. “Me këtë rast, në emrin tim dhe në emër të Universitetit, dekanëve të fakulteteve, profesorëve, studentëve, punonjësve të administratës, Ju shpreh urimet e mia për këtë aktivitet që sot e organizojmë, si njëra nga ngjarjet më të veçanta në veprimtarinë e përgjithshme të Universitetit të Tetovës.

Me kontributin e përbashkët, përkushtimin dhe angazhimin serioz të secilit prej nesh, kemi arritur t’i përmbushim pritshmëritë në arsim dhe shkencë, ndaj, ndarja e bursave për studentët e dalluar është dëshmia e vërtetë se Universiteti ynë identifikohet si institucioni i garës për dije, i konkurrencës, por edhe i mundësive të mëdha.

Më lejoni t’Ju njoftoj se në përputhje me Ligjin për arsimin e të lartë, Statutin e Universitetit dhe me vendim të Senatit, ne sot do të ndajmë bursat universitare për 90 studentë të ciklit të parë në vitin akademik 2018/2019.

Si Rektor i Universitetit të Tetovës, i përgëzoj ekselentët tanë që i kanë plotësuar kriteret e kërkuara arsimore dhe i kanë fituar bursat universitare në bazë të punës, aftësisë dhe meritës së tyre dhe njëherit u shpreh mirënjohjen për kontributin që japin dhe nderin që i bëjnë Universitetit të Tetovës.

Por, mbi të gjitha, respekt dhe mirënjohje të veçantë për prindërit dhe familjet tuaja, që ju kanë mbështetur në këtë rrugë të suksesshme, sepse pa përkrahjen e tyre, një arritje e tillë do ishte e pamundur.” – tha Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Po ashtu Rektori në fjalën e tij shtoi se edhe në të ardhmen ai dhe ekipi i tij do të vijojnë të punojnë për avancimin e procesit mësimor – shkencor, forcimin e kapaciteteve universitare të denja për kërkesat dhe sfidat me të cilat përballet bota bashkëkohore.

Studentët ekselentë, pas marrjes së bursave, i falënderuan drejtuesit e Universitetit të Tetovës, për mbështetjen që u japin atyre, sepse këto vlerësime u japin motiv shtesë për të vazhduar studimet me më shumë përkushtim.