Vatrat e zjarrit në Amerikë shpyllëzojnë qindra hektarë të rinj çdo ditë

Zjarret në xhunglën braziliane, në Amazonë, vazhdojnë të shpyllëzojnë qindra hektarë të rinj çdo ditë.

Marketing

Në muajin korrik, sipërfaqja e zhveshur nga pyjet e dendura të zonës u rrit me mbi 34% nga viti në vit, ndërsa në dy javët e para të gushtit, raportohet një numër  thuajse i njëjtë i vatrave të zjarrit me verën e 2019-ës, vit kur u shkrumbuan mbi 960 mijë hektarë tokë.

Ekspertët theksojnë se zjarret rrallëherë janë një fenomen natyror, dhe më së shumti provokohen nga fermerët për pastrimin e tokave apo nga biznesmenët për qëllime tregtare.

Të dielën, banorët e qytetit të Porto-Velhos vijuan betejën me flakët që rrezikonin banesat.

“Ne jemi të varfër. Me rrogën time mbaj vetëm familjen. Zjarri kur vjen i jep fund gjithçka brenda pak sekondave. Nuk e dimë kush e ndez e pastaj largohet. Kam 14 vite këtu dhe gushti ka qenë gjithmonë i tillë.”

Me urdhër të presidentit brazilian, nga muaji maj në territorin e vendit është shpërndarë edhe ushtria për të ndaluar shtrirjen e zjarreve, por ambientalistët thonë se nuk po shohin rezultate.

Edhe në Amerikën Veriore, moti i thatë dhe flakët masive po rrezikojnë këto javë zonat e banuara.

Në shtetin e Kalifornisë, autoritetet njoftuan avancimin me shpejtësi të zjarrit në zonat me shkurre afër Los-Anxhelesit.

Me qindra banorë janë urdhëruar të evakuojnë dhe me dhjetëra godina janë shkatërruar.

Dëshmitarët vendës kapën edhe pamje amatore të të ashtuquajturve ciklone zjarri.

Flakët në Kaliforni kanë djegur deri tani mbi 8 mijë hektarë tokë dhe mbi 1,500 zjarrfikës që janë dislokuar në terren kanë mundur të kontrollojnë vetëm 12 për qind të vatrave të zjarrit.

Rajonin jugperëndimor të SHBA-së pritet ta përshkojë një valë të nxehti deri ditën e enjte.

Marketing