Vetëvrasjet në Maqedoninë e Veriut

Vetëvrasja është një dukuri sociopatologjike dhe devijante mjaft e përhapur në botën bashkëkohore dhe si e tillë paraqet një gjendje të sëmurë në shoqëri.

Marketing

Ky akt i shkaktimit të qëllimshëm të vdekjes ndodh në gjithë botën, duke prekur individë të të gjitha kombeve, kulturave, feve, gjinive dhe klasave.

Por, sa është evidente kjo dukuri negative në Maqedoninë e Veriut, tregojnë statistikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) për vitin 2022.
Në Maqedoni nga 100 mijë banorë mesatarisht 9.4 persona e braktisin këtë botë si pasojë e vullnetit të lirë, vetëvrasjes.

Sa i përket gjinisë, 74 për qind janë burra, ndërsa 26 për qind gra.

Sociologu nga Shkupi, Ali Pajaziti për TRT Balkan, thotë se vetëvrasjet paraqesin një dukuri patologjike që ka të bëjë me një gjendje turbulente paraprake të personit, me një dërrmim dhe konsumim të brendshëm individit që pasqyrohet në një vendim fatal.

“Këto shifra tregojnë që ndër shqiptarë ky fenomen është më pak i përhapur ngase kultura shqiptare nuk e ka njohur atë deri para tre dekadave. Procesi i kalimit në demokracinë liberale dhe në ekonominë e tregut e kanë bërë atë prezent edhe në popullatën më konservatore të Ballkanit, te shqiptarët, por më rrallë krahasuar me kombe të tjera siç janë kombet sllave”, thotë Pajaziti.

Tutje, ai shton se përderisa serbët, kroatët, boshnjakët dhe malazezët kanë jetuar në mirëqenie edhe më parë, një pjesë e tyre kanë përjetuar shpresëthyerje në kohën e tranzicionit dhe kjo i ka bërë ata defetistë.

“Nga ana tjetër shqiptarët kanë qenë inferiorë dhe sekondarë në Jugosllavi, ndërsa tmerrësisht keq kanë jetuar në Shqipëri gjatë komunizmit, e sot kanë avancim ekonomik dhe në cilësi të jetesës”, thekson Pajziti.