Video e MPB-së shkakton reagime të ashpra në opinion

Video klipi i xhiruar për Ditën e policisë mbetet një enigmë si nga forma ashtu edhe përmbajtja. Parada e dhjetëra automjeteve të MPB-së me drita ndezur vetëm nëpër disa zona të caktuara të Shkupit, më tepër i ngjau një trajleri të filmit aksion sesa një porosi që policia është afër qytetarëve.

Marketing

Sipas njohësve të fushës porosia ishte e gabuar ngaqë MPB tregoi manifestimin e forcës në vend që të jetë simbol i sigurisë dhe rendit publik të vendit. Bashkim Selmani tha se më tragjike bëhet fakti që në video përfshihen simbole fetare sikurse kryqi, duke anashkaluar plotësisht komunitetet e tjera.

Është fakt se nëse analizohet strategjia politike dhe shtetërore e Maqedonisë fatkeqësisht del në dukje se gjithmonë nëpërmjet simboleve duan të dëshmojnë se vetëm i atyre është shteti. Kohëve të fundit është kuptuar kjo politikë që ofendon dhe nuk i bën të ndihen mirë komunitetet e tjera, vet organet e MPB-së duhet të respektojnë pjesëtarët e tyre të nacionaliteteve të tjera dhe këtu është dilema se cilat janë shkaqet dhe arsyet.”-pohoi Bashkim Selmani, Ekspert për çështje sigurie.

Nga Ministria e Brendshme thonë se mbeten në qëndrimin e djeshëm pa dhënë detaje të tjera.

Me spotin ne faktikisht iu falënderuam qytetarëve në përkrahjen që i japin MPB-së dhe zyrtarëve policorë në zbatimin e përditshëm të detyrave të tyre. Kjo është e tëra, aty simbolizohet flamuri shtetëror dhe në mes tij, në vend të diellit është një zemër, e cila simbolizon jetën.”-tha Naqe Çulev, Ministër i punëve të brendshme.

Por, qëndrimit të Ministrit Naqe Çulev, i distancohet zëvendësministrja plotësuese Sllavjanka Petrovska. Ajo thotë se shfrytëzimi i makinave të policisë gjatë ndalesës për lëvizjen e qytetarëve dhe krizës me virusin korona, është i papranueshëm.

Ministri Çulev tha se projekti është realizuar nga një produksion i jashtëm pa i cekur emrin, të cilës i kanë paguar gjithsej vetëm 300 euro. Edhe ideja për të formësuar flamurin e shtetit duke parë nga perspektiva e zogut, u kopjua nga një video spot i ngjashëm i autoambulancave në Turqi. Edhe atë gjatë orës policore.Alsat