Vihen në funksion dy centrale fotovoltaike në FETI

Dy centrale fotovoltaike me fuqi të përgjithshme prej 22 kilovatë sot u lëshuan në përdorim në Fakultetin për Elektroteknikë dhe Teknologji Informatike (FETI) në Shkup.

Marketing

Njëri central është donacion nga kompania “Okta”, ndërsa tjetri është furnizuar në kuadër të IPA projektit “Përmirësim i integrimit të deponimit të energjisë në ndërtesa me fotovoltaikë” dhe me mjete të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi”.

Energjia e prodhuar me centralet fotovoltaike do të shfrytëzohet për nevojat e FETI-t dhe fakultetit do t’i sjellë kursim vjetor nga 3.000 deri në 3.500 euro.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi theksoi se centralet fotovoltaike i mundësojnë fakultetit të ketë objekt me efikasitet energjetik dhe të bëjë kursime maksimale kur është në pyetje shpenzimi i energjisë elektrike.

Sipas tij, centralet fotovoltaike do të jenë edhe mundësi e shkëlqyeshme për studentët që të njoftohen me mënyrën e funksionimit të këtij lloji të sistemeve si pjesë e mësimit, të analizojnë se si gjenerojnë energji elektrike nga fotovoltaikë dhe se si e alokojnë me shpenzime minimale materiale.

“Ky projekt duhet të jetë shembull dhe nxitje edhe për amvisëritë dhe biznes bashkësinë, gjegjësisht operatorët energjetik sepse centralet fotovoltaike mund t’u shërbejnë dhe kursejnë mjete, ta mbrojnë mjedisin jetësor dhe të ulet ndotja”, tha Ademi.

Dekani i FETI-t Dimitar Tashkovski theksoi se me këta fotovoltaikë kontribuojnë për mbrojtje të mjedisit jetësor dhe për ulje të ndotjes.
Vlera e përgjithshme e projektit për furnizim dhe instalim të dy centraleve është 27.500 euro.