Britania e Madhe ka deklaruar se zgjedhjet lokale që do të mbaheshin në vend në majin e këtij viti do të shtyhen për vitin e ardhshëm.
Zgjedhjet lokale përfshinin 118 këshilla bashkiake, ndër to edhe zgjedhja e kryebashkiakut të Londrës, si dhe emërimi i disa autoriteteve policore në Angli dhe Wells.
Duket se qeveria e drejtuar nga Boris Johnson, tashmë po ndërgjegjësohet për rrezikun e koronavirusit që po përhapet me shpejtësi edhe në territorin e saj.
Deri tani edhe pse Johnson e ka cilësuar COVID -19 si “kriza shëndetësore më e rëndë e kësaj gjenerate”, ai nuk ka zbatuar një plan masash shtrënguese si ato të vendeve fqinje si Irlanda, ose Franca, pa folur për Italinë, duke hasur jo pak kritika.
Johnson ka refuzuar të mbyllë institucionet shtetërore dhe shkollat në vend, duke treguar një qasje pothuajse fataliste për sa i përket përhapjes së virusit, duke kaluar nga një taktikë që synon parandalimin e virusit tek një fazë tjetër që synon frenimin e përhapjes së tij.
Sot rastet e regjistruara në Britani janë 798, në rritje të madhe nga dita e mëparshme.