Von der Leyen u bën thirrje për bashkim liderëve të Bosnje e Hercegovinës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u kërkoi këtë të premte udhëheqësve në Bosnje e Hercegovinë që të punojnë së bashku për ta sjellë vendin më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Marketing

Bosnja aplikoi për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian në vitin 2016, por liderët e saj nuk kanë bërë pothuajse asgjë për të nisur reformat që u përcaktuan si të nevojshme për përparimin në rrugën drejt BE-së.

Von der Leyen u kërkoi udhëheqësve të Presidencës trepalëshe të mblidhen për ta kthyer Bosnjën, një vend ku gati tre të katërtat e popullsisë mbështesin anëtarësimin në BE, “në një vend të ëndrrave të të rinjve”.

“Dera e Bashkimit Evropian është e hapur, ju lutem shfrytëzoni rastin dhe shfrytëzojeni këtë ftesë, dhe kjo varet nga ju tani,” u tha ajo politikanëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile gjatë një vizite në Sarajevë, pjesë e një turneu në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Komisioni Evropian këtë muaj rekomandoi që Bosnjës t’i jepej statusi i kandidatit me kushtin që ajo të përforcojë demokracinë dhe të ndërmarrë hapa të tjerë të nevojshëm.

Gjatë vitit të kaluar, vendi ballkanikpërjetoi krizën më të rëndë politike që nga fundi i luftës në vitet 1990, mes politikave separatiste të liderit të tij serb Millorad Dodik dhe grindjeve midis boshnjakëve dhe kroatëve për rregullat zgjedhore.

Këshilli i Ministrave të BE-së do të votojë mbi statusin e kandidaturës në dhjetor edhe pse analistët dyshojnë se deri atëherë Bosnja do të jetë në gjendje të kryejë reformat e nevojshme, veçanërisht pasi qeveritë e reja nuk janë formuar ende pas zgjedhjeve të 2 tetorit.

Von der Leyen tha se Bosnja do të merrte 70 milionë euro nga paketa 500 milionë euroshe e BE-së si ndihmë për krizën energjetike dhe mbështetje të menjëhershme për familjet dhe bizneset në nevojë.

Ajo inaguroi një tunel në një autostradë të ndërtuar me fondet e BE-së, 542 milionë euro të dhëna në formën e granteve.