Vuçiq: Pakti i dukshëm mes Prishtinës dhe Zagrebit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pas vizitës së fundit të presidentit të Kroacisë Zoran Milanoviq në Kosovë, duke thënë se ka një pakt të dukshëm mes Prishtinës dhe Zagrebit.

Marketing

Ai po ashtu tha se ka njerëz që mendojnë se Serbia e mirë është vetëm Serbia inekzistente.

“Sa i përket Prishtinës dhe Zagrebit, është një pakt krejtësisht i dukshëm, nga mediat, deri tek ato financiare dhe të sigurisë. Kjo nuk është e papritur. Ka njerëz që mendojnë se vetëm Serbia inekzistente është një Serbi e mirë. Nuk ekziston një Serbi e cila është mjaftueshëm e vogël për ta dhe që nuk është e madhe,” tha Vuçiq, përcjell B92.

Vuçiq ka folur edhe rreth referendumit të 16 janarit për ndryshimet kushtetuese në Serbi, pasi kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se nuk do të lejohet mbajtja e referendumit për serbët lokalë në Kosovë.

Presidenti serb tha se këtë çështje do t’ia adresojë komunitetit ndërkombëtar, në radhë të parë BE-së dhe SHBA-së.

“Për mua është shkatërruese që nuk e lejojnë Velko Odaloviqin, Petar Petkoviq të hyjnë në Kosovë. Ata thanë se nuk do të lejojnë të mbahet referendum në komunitetin serb në Kosovë”, tha Vuçiq.

Ndryshe, kryeministri Kurti tha sot nuk do të lejojë referendum për ndryshimet kushtetuese të Serbisë në territorin e Kosovës.

“Ne arritëm një marrëveshje për reciprocitetin për targat. Jo vetëm që filluam nga një pikë e rëndësishme, por u pranua në Bruksel. Besoj se u realizua mirë. Për një marrëveshje ligjërisht obligative Serbia duhet të ndryshojë pakrahasueshëm më shumë”, tha Kurti.