Xhaferi në takim me koordinatoren e përhershme të KB-së në RMV,Rosana Duxhak

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot realizoi takim me koordinatoren e përhershme të Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, Rosana Duxhak. Në takim u shkëmbyen informata dhe ide për atë se si të thellohet bashkëpunimi ndërmjet Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, sidomos në drejtim të implementimit të Agjendës 2030 dhe qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm.

Marketing

Kryetari Xhaferi shprehu mirënjohje ndaj agjencive të Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut për aktivitetet që i zbatojnë në vend, si edhe për bashkëpunimin e tyre të deritanishëm me trupat punues në Kuvend dhe me grupet joformale të mbështetjes.

Koordinatorja e përhershme e OKB-së Rosana Duxhak, foli për “Kornizën e bashkëpunimit për zhvillim të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara me Republikën e Maqedonisë së Veriut për periudhën 2012 – 2025,” si dokument kryesor dhe ofertë kolektive e sistemit të OKB-së për mbështetjen e vendit në menaxhimin e sfidave kryesore për arritjen e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm  dhe Agjendës 2030.  Fokusi kryesor është drejtuar kah mbindërtimi i aktiviteteve të filluara në fushën e menaxhimit demokratik transparent dhe të përgjegjshëm, përfshirjes sociale, mbrojtjes së ambientit jetësor, promovimit të barazisë gjinore, zhvillimit të barabartë rajonal dhe ngjashëm.

Në takim u bë fjalë për mundësinë e formimit të grupit joformal të punës për zhvillim të qëndrueshëm në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, ku do të ishin anëtarë deputetë të të gjitha grupeve parlamentare dhe i cili do të ishte teknikisht i mbështetur nga Zyra e koordinatores së përhershme të OKB-së.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se në periudhën e ardhshme duhet të vazhdohet dhe të avancohet bashkëpunimi i frytshëm i agjencive të OKB-së me trupat punues të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.