Zaev: Muaji mars do të jetë muaji i vaksinimit

Kryeministri Zoran Zaev sot paralajmëroi se vaksinat kundër virusit korona në vend do të arrijnë sipas gjitha gjasave në mars të vitit të ardhshëm. Ai shtoi se shteti ka ndarë mjete për furnizim të vaksinës dhe do t’i paguajë. Por, potencoi, nëse bëhet fjalë për donacion, atëherë ne me kënaqësi do ta pranojmë pa dallim se a vjen nga ndonjë shtet ose nga Unioni. Ai theksoi se janë siguruar edhe frigoriferë përkatës për ruajtjen e vaksinave. Do të ketë edhe fushatë publike për nevojën e vaksinimit që të vaksinohen sa më shumë qytetarë që të ndërpritet përhapja e pandemisë. Vaksina, theksoi ai, nuk do të jetë e detyrueshme, sepse secili qytetar ka të drejtë të vendosë për organizmin e tij.

Marketing

“I gjithë sistemi është i lidhur me sistemin KOVAKS. Kur do të fillojë vaksinimi, por, flasim për vaksinim të popullatës, e jo për dy, pesë mijë vaksina dhe të garojmë se kush i pari është furnizuar. Sa mjekë dhe infermiere kemi ne vetëm për vaksinim, mbi 12-13 mijë janë vetëm personel mjekësor që punon direkt në KOVID, kështu që unë pres se marsi do të jetë muaji i vaksinimit”, tha Zaevi në “Samo intervju” në TV Kanal 5.

Ai tha se ka vende, si Serbia, e cila tashmë është furnizuar me vaksina, por ato, janë vetëm pak, dhe kjo nuk mund të quhet vaksinim.

Gjithë popullatës sonë, potencoi, i nevojitet vaksinimi sepse përmes tij përfundimisht pritet të ndërpritet kjo epidemi ose pandemi në nivel botëror.

“Kjo është arsyeja pse ne si vend kemi bërë gjithçka, jemi të integruar në të gjitha sistemet, kemi siguruar fonde buxhetore, kemi paguar paradhënie atje ku mundemi sepse nuk jemi anëtare të BE-së, kemi bërë të gjitha protokollet, kemi adresuar, kemi kërkuar përfshirje dhe në mënyrë të ngjashme, kështu na përfshiu BE-ja që porositi 200 milionë për vete dhe 100 milionë për vendet e kontinentit Evropian që nuk janë anëtare të BE-së dhe kur të arrijnë 200 milionë do të mbërrijnë edhe 100 milionë për ne, nga të cilat ne porositëm shtesë nga BE për nevojat e qytetarëve, por këtu Greqia u ofrua – ne pranuam. Bullgaria ofroi – pranuam, Polonia ofroi – pranuam, vende të tjera gjithashtu ofruan, Austria përmendi që 5 për qind e asaj që kanë do t’u jepen menjëherë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha në intervistë kryeministri Zaev.

Prioritete në vaksinim tha, do të kenë punonjësit shëndetësorë, të sëmurët kronikë dhe më të moshuarit.

“Qartë janë definuar protokollet nga komisioni ynë shëndetësor, të parët janë mjekët dhe personeli mjekësor. Pastaj të sëmurët kronikë dhe më të moshuarit. Dhamë propozime, kishim diskutim nëse zhvillohen pas kësaj grupet, duhet të kenë familjet që kanë humbur njerëz. Pse? Sepse të gjithë frikohemi të mos humbim njeri. Ata janë të gjithë qytetarë tanë. Normal duhet të zhvillohen protokollet deri në fund. Do të shkoja me të gjitha sugjerimet pasi të përfundojnë ato sipas protokollit. Mësueset, edukatoret duhet të marrin sepse punojnë me fëmijët tanë çdo ditë. Por, definitivisht duhet t’i ruajmë ato tri kategori – punonjësit shëndetësorë, të sëmurët kronikë dhe qytetarët më të moshuar”, theksoi Zaevi.

Në lidhje me paralajmërimin për donacion të vaksinave nga Bullgaria, Zaevi theksoi se është në rregull dhe njerëzore kur dikush, në këtë rast vendi ynë fqinj, ju jep dorën që ta pranoni.

Ai theksoi se përhapja e virusit korona në vend është ngadalësuar dhe bëri thirrje që qytetarët t’i zbatojnë masat me qëllim që të mos ndryshohet gjendja e tillë. Është ulur edhe faktori i transmetimit dhe tani, tha kryeministri, është 0.92. Duhet, tha që të kemi kujdes derisa të arrijnë vaksinat me të cilat mund të ndërtohet imunitet kolektiv dhe jeta dalëngadalë të fillojë të kthehet në normalitet.

Zaevi paralajmëroi se do të ketë edhe fushatë publike për vaksinimin, duke pasur parasysh atë që në publik ka mosbesim dhe rezervë të madhe. Vaksinimi, theksoi, nuk do të jetë i obligueshëm por për këtë përmes fushatës opinionit do t’i sqarohet për rëndësinë e saj. Ai, siç tha, përmes shembullit personal është i gatshëm të tregojë se qytetarët nuk duhet të druajnë dhe paralajmëroi se do ta marrë vaksinën kur ajo të vijë në vendin tonë.