Zelensky: Çdo ditë po gjejmë varre të reja masive

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke folur në parlamentin e Lituanisë të martën, ka thënë se “ka mijëra e mijëra viktima” dhe “qindra raste të torturës brutale” që po zbulohen në zonat që ishin pushtuar nga forcat ruse, por që janë rikthyer nga Ukraina, raporton BBC.

Marketing

“Varre të reja masive po zbulohen çdo ditë. Trupa vazhdojnë të gjenden nëpër kanale e nëpër bodrume”, ka thënë Zelensky.

Zelensky ka shtuar se autoritetet në Kiev do të vazhdojnë të hetojnë krimet e luftës të kryera nga ushtria ruse.

Ai ka thënë se është i bindur se Rusia do të vazhdojë të mohojë akuzat për krime, por se ato do të jenë në ndërgjegje të propaganduesve rusë.

Prokurorët në Ukrainë kanë njoftuar sot se trupat e gjashtë civilëve të vrarë janë gjetur në bodrum të një ndërtese në Kiev.

Rusia vazhdimisht ka mohuar akuzat për krime lufte dhe ka fajësuar Ukrainën.