Zgjedhje të parakohshme, ja datat që janë në lojë?!

Maqedonia sipas të gjitha gjasave do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi që maxhoranca aktuale e ka të vështirë të sigurojë votat e nevojshme, 80 nga 120 për të votuar ndryshimet kushtetuese që janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës për emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut.

Marketing

Procesi është rënduar edhe pas dorëheqjes së ministrit të jashtëm grek, Nikos Kocias, i cili ishte ai që ka firmosur marrëveshjen e emrit, ndërsa një nga arsyet e largimit është pikërisht kjo marrëveshje dhe përplasja me partnerin e koalicionit qeveritar, ministrin e mbrojtjes Kamenos, përcjellë INA.

Zgjedhjet janë të pashmangshme dhe se ato do të mbahen sa më shpejt, edhe atë sipas paralajmërimeve partiake në afat prej 45 deri 60 ditë. Siç mëson INA, datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve janë 9 ose 16 dhjetori, por në rast se shkohet në respektimin e 100 ditëshit të qeverisjes teknike, atëherë mund të ndodhë prolongimi i datës.

Për zgjedhjet janë deklaruar edhe partitë në pushtet dhe opozita. Por kjo e fundit kërkon modelin e qeverisjes sipas Përzhinës, ku duhet zgjedhur kryeministër i ri nga radhët e LSDM në vend të Zoran Zaev, si dhe ministrat e brendshëm, punëve sociale dhe bujqësisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
Opozita do të ketë edhe disa poste të zv/ministrave, dhe se kjo qeveri teknike do të jetë e obliguar për të organizuar zgjedhjet e parakohshme në një afat deri në 100 ditë. Por zgjedhjet do të vështirësojnë procesin e miratimit të Marrëveshjes së emrit, pasi që do të ngelet pezull miratimi i saj, ndërsa dyja kampet politike shpresojnë se pas zgjedhjeve do të kenë shumicën absolute. (INA)

Marketing