Zhbogar pret që antikorrupsioni të fillojë me punë në pranverë

Gati një vit nuk funksionon Komisioni Antikorrupsion. Kjo është një periudhë e gjatë pa kontroll mbi funksionarët aktualë, thotë për Alsat M Slagjana Taseva nga “Transparency International”.

Marketing

Qytetarët edhe në këtë periudhë kanë mundësi të paraqesin denoncime deri tek ky Institucion. Por, ato me siguri do të mbeten në ndonjë sirtar, thotë Taseva, duke shtuar se të gjitha vendimet ky organ i sjellë me shumicën e votave, ndërsa për momentin në punë shkojnë vetëm dy anëtarë të cilët në mars të këtij viti nuk dhanë dorëheqje.

Ish anëtarë i antikorrupsionit thotë se, derisa të kompletohet përbërja me anëtarët e ri në komision, ekziston vetëm një institucion jofunksional që nuk mund ta bëjë punën e vet.

Të tregojmë pak seriozitet në trajtimin e problemit të korrupsionit. Tanimë pritet shumë gjatë që të zbatohet Ligji për parandalimin e korrupsionit. Për atë se a do të vendoset ndonjë lloj mbikëqyrjeje ndaj qeverisë së tanishme, nëse anëtarët e ri emërohen deri në Vitin e Ri, nuk pres që në raportin e Komisionit Evropian të kemi rezultate drastike”- theksoi Sllagjana Taseva, kryetare e Transparency International.

Edhe ambasadori i BE-së Zhbogar në emisionin 360 gradë tha se pret që më së voni deri në pranverë Komisioni i ri të fillojë me punë dhe të hapë raste të reja serioze. Edhe ambasadori është i shqetësuar se nuk ka kush ta monitorojë punën e qeverisë aktuale.

Për një periudhë të caktuar askush nuk i shikon listat anketuese të pasurisë së funksionarëve, ndoshta Komisioni duhet të fillojë me këtë. Nuk bëjmë dallim nëse është kjo qeveri apo qeveria e kaluar. Çdo lloj korrupsioni pas të cilit qëndron kushdo qoftë duhet të hetohet”- u shpreh Samuel Zhbogar , ambasador i BE-së në Maqedoni.

Pesë nga shtatë anëtarët e Antikorrupsionit në mars u dorëhoqën pas skandalit me abuzimin e parave për udhëtim. Në muajt e fundit është hartuar edhe Ligji i ri për parandalimin e korrupsionit, ndërsa prej para pak ditësh propozim- ligji është në procedurë parlamentare. Zgjidhja e re ligjore krahasuar me të tashmen, parashikon kritere më të rrepta për përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit antikorrupsion.

Kushtet kryesore për hyrjen në këtë komision janë që kandidatët që të mos jenë ish anëtarë të antikorrupsionit, të mos kenë pasur funksion politik në Qeveri apo Kuvend, e as të kenë qenë donatorë të partive politike në 10 vitet e fundit.

Marketing