Zhegrova reagon pas kartonit të kuq, shfaq pamje nga lëndimi që e pësoi
Futbollisti kosovar u ndëshkua me karton të kuq në minutat shtesë të ndeshjes ndërmjet Lillet dhe Metzit në kampionatin francez të futbollit.
Përfaqësuesi kosovar u inkuadrua në lojë në minutën e 81-të dhe pas dy minutash u ndëshkua me karton të verdhë.
Por, kjo nuk i mjaftoi futbollistit ofanziv, i cili për shkak të një ndërhyrjeje të rrezikshme ndaj kundërshtarit, u ndëshkua me të kuqin.
E pas ndeshjes, ish-futbollisti i Baselit e ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku e shfaq lëndimin që e pësoi në këtë ndeshje.
Futbollisti i Lillet e ka përcjellë fotografinë me një shkrim, ku i falënderon të gjithë ata që e mbështetën, ndërsa insiston se nuk e ka ndërmend të ndalet.
“Asgjë nuk mund të më ndalë, koka ime shikon lart, ne do të vazhdojmë përpara. Falënderoj tifozët e Lillet për mbështetjen e jashtëzakonshme”, ka shkruar futbollisti kosovar.