Zjarret në Hawaii, autoritetet pranojnë se nuk kanë përdorur sirenat e alarmit

Edhe pas dorëheqjes së drejtuesit të shërbimit të emergjencave, në Hawai nuk ka ende përgjigje se përse nuk ranë sirenat e alarmit gjatë përhapjes së zjarreve vdekjeprurëse në ishullin Maui.

Marketing

Sipas zyrtarëve vendas, mbi 100 persona kanë humbur jetën dhe dëmet arrijnë në gati 6 miliardë dollarë.

Kritikat vazhdojnë të shtohen për sistemin e paralajmërimit me sirena në Maui të Havait, të cilat nuk u aktivizuan gjatë zjarreve vdekjeprurëse. 5 nga 80 sirenat e alarmit janë të instaluara në zonën turistike Lahaina, e cila u shkatërrua krejtësisht nga zjarri.

Kreu i agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave në Maui, Herman Andaya, dha dorëheqjen për arsye shëndetësore.

Ai u pyet më herët këtë javë për sirenat që nuk ranë.

“Sirenat përdoren kryesisht për cunamet. Publiku është përgatitur që të gjejë terren më të lartë kur bien sirenat. Do të kishin shkuar drejt zjarrit”, tha zoti Andaya.

Por, në faqen në internet të qeverisë thuhet se sistemi i sirenave mund të përdoret për katastrofat natyrore apo të shkaktuara nga njeriu, përfshirë cunamet, uraganët dhe zjarret.

Përveç masave që po merren nga qeveria federale, edhe bizneset vendase po punojnë për të ndihmuar komunitetin e tyre. Kompanitë turistike po përdorin automjetet e tyre për të transportuar ndihma.

Presidenti Biden dhe Zonja e Parë pritet të udhëtojnë të hënën drejt Mauit, për të parë nga afër shkatërrimin, për t’u takuar me të mbijetuarit dhe me udhëheqësit vendas.