Zgjidhja e kontestit të emrit hap dyert e NATO-s dhe të BE-së për Maqedoninë

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, të hënën e ka quajtur të suksesshme punën e koalicionit qeverisës në Republikën e Maqedonisë.

Marketing

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se ka marrëveshje me partnerët e koalicionit për t’i shtyrë përpara temat që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit.

“Ka zhvillime shumë më të mëdha se sa unë të ndalem tani të bëj një analizë për bashkëqeverisjen e deritashme. Megjithatë, në pika të shkurtra mund të them se është një bashkëqeverisje e suksesshme dhe ka pajtim me partnerët e koalicionit për t’i shtyrë përpara temat serioze që kanë të bëjnë me të ardhmen e Republikës së Maqedonisë, si dhe që kanë të bëjnë me paqen dhe stabilitetin e rajonit në tërësi”, është shprehur Ahmeti.

Ai ka thënë se prioritet i koalicionit qeverisës është integrimi euroatlantik dhe, sipas Ahmetit, gjatë kësaj periudhe Maqedonia ka shënuar progres dhe është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE. Ai ka bërë me dije se zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë do t’i zhbllokojë dyert e NATO-s dhe BE-së për Maqedoninë.

Nëse kjo çështje përfundon me sukses, Ahmeti ka thënë se Maqedonia me automatizëm do të marrë ftesë për anëtarësim në NATO si dhe në qershor mund t’i hapë negociatat për anëtarësim në BE.

“Siç jeni në dijeni, jemi në një proces shumë të rëndësishëm drejt zgjidhjes së çështjes së emrit. Jemi drejt gjetjes së një kompromisi dhe pajtueshmërie me fqinjën tonë, Greqinë. I gjithë opinioni e di se tanimë pengesa e vetme për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në NATO është problemi i pazgjidhur me Greqinë. Kjo na paraqitet si pengesë edhe për hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Kështu që, prioritet i kësaj qeverie ka qenë arritja e zgjidhjes së kontestit me Greqinë për shkak të emrit. Të gjitha palët jemi duke u angazhuar dhe duke kontribuar që sa më parë të mbyllet kjo temë, sepse kështu kontribuojmë për forcimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë. Kjo i kontribuon edhe anëtarësimit në NATO dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në BE”, ka deklaruar ai.

Ahmeti ka folur edhe për progresin që ka arritur komuniteti shqiptar në Maqedoni. Ai ka thënë se në këtë drejtim janë bërë punë të mëdha, por ende mbetet shumë për t’u bërë. Lideri i BDI-së ka theksuar se hyrja në fuqi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe është çështje kohe.

“Shqiptarët në Maqedoni kanë flamurin e vet kombëtar shqiptar, kanë dy universitete shtetërore shqiptare, një në Tetovë dhe një në Shkup, kanë policët dhe ushtarët e vet. Po ashtu, është çështje kohe se kur do të dekretohet Ligji për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe kur do të hyjë në fuqi”, ka thënë Ahmeti.

“Epoka e re”: Z. Ahmeti, çfarë vlerësimi keni për punën e koalicionit qeveritar dhe sa jeni të kënaqur me këtë bashkëqeverisje?
Ahmeti: Ka zhvillime shumë më të mëdha sesa unë të ndalem tani të bëj një analizë për bashkëqeverisjen e deritashme. Megjithatë, në pika të shkurtra mund të them se është një bashkëqeverisje e suksesshme dhe ka pajtim me partnerët e koalicionit për t’i shtyrë përpara temat serioze që kanë të bëjnë me të ardhmen e Republikës së Maqedonisë, si dhe që kanë të bëjnë me paqen dhe stabilitetin e rajonit në tërësi. Siç jeni në dijeni, jemi në një proces shumë të rëndësishëm drejt zgjidhjes së çështjes së emrit. Jemi drejt gjetjes së një kompromisi dhe pajtueshmërie me fqinjën tonë, Greqinë. I gjithë opinioni e di se tanimë pengesa e vetme për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në NATO është problemi i pazgjidhur me Greqinë. Kjo na paraqitet si pengesë edhe për hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Kështu që, prioritet i kësaj qeverie ka qenë arritja e zgjidhjes së kontestit me Greqinë për shkak të emrit. Të gjitha palët jemi duke u angazhuar dhe duke kontribuar që sa më parë të mbyllet kjo temë, sepse kështu kontribuojmë për forcimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë. Kjo i kontribuon edhe anëtarësimit në NATO dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Dhe kjo është edhe në dobi të Kosovës, si dhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Epoka e re”: Kontesti i emrit në mes të Maqedonisë dhe Greqisë mund të zgjidhet para pushimeve verore?
Ahmeti: Mendoj se të gjitha palët janë në pritje që kjo çështje të zgjidhet sa më parë dhe që pushimet të jenë të qeta dhe jo me ngarkesën që e kemi pasur deri më tani.

“Epoka e re”: Kjo çështje është pengesa kryesore për avancimin e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së?
Ahmeti: Barrikada kryesore është çështja e zgjidhjes së emrit, por sigurisht ka edhe kërkesa të tjera. Mirëpo, ato do të hapen kur do të hapet kapitulli 23 dhe 24 sa i takon hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kurse sa i takon NATO-s, me zgjidhjen e këtij problemi Republika e Maqedonisë me automatizëm merr ftesë për anëtarësim në NATO. Kjo na është konfirmuar se kur do të zgjidhet problemi me kontestin e emrit Maqedonia do të marrë ftesë për NATO. Pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO pritet ratifikimi i kësaj marrëveshje nga vendet anëtare të NATO-s.

“Epoka e re”: Duke pasur parasysh progresin e shënuar gjatë kësaj periudhe qeverisëse, prisni që në qershor të hapen negociatat për anëtarësim?
Ahmeti: Nëse përfundon me sukses zgjidhja e emrit, pra arrihet kompromis në mes të palëve, nuk përjashtohet mundësia që në qershor të hapen negociatat për anëtarësim.

“Epoka e re”: Maqedonia ka qenë më mirë ndonjëherë si shtet sesa tani?
Ahmeti: Gjithmonë ka hapësirë për më mirë, mirëpo mendoj se Maqedonia ka bërë progres ditët e fundit dhe assesi nuk duhet të ndalet ky progres.

“Epoka e re”: Jeni i kënaqur me progresin e komunitetit shqiptar?
Ahmeti: Ka edhe shumë për t’u bërë, mirëpo deri më tani janë bërë punë shumë të mëdha për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë. Nuk duhet të vetëkënaqemi sepse ka edhe shumë për t’u bërë. Tani jam në presion të kohës. Nuk kam mundësi t’i numëroj të gjitha të arriturat dhe progresin që kanë arritur shqiptarët në Republikën e Maqedonisë, por do t’i them dy-tri gjëra. Shqiptarët në Maqedoni kanë flamurin e vet kombëtar shqiptar, kanë dy universitete shtetërore shqiptare, një në Tetovë dhe një në Shkup, kanë policët dhe ushtarët e vet. Po ashtu, është çështje kohe se kur do të dekretohet Ligji për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe kur do të hyjë në fuqi. Kemi një kontest me presidentin e shtetit i cili nuk e dekreton këtë ligj, por kjo është çështje kohe, sepse ai ligj nuk kthehet pas. Kemi pritur shumë, na ka mbetur edhe pak për të pritur që ligji të hyjë në fuqi dhe që shqipja të përdoret në të gjitha nivelet qendrore dhe lokale.

“Epoka e re”: Z. Ahmeti, është paralajmëruar se shumë shpejt do të mbahet mbledhja e përbashkët Maqedoni – Kosovë. Keni informacione se kur saktësisht do të mbahet kjo mbledhje dhe cili do të jetë qëllimi i saj?
Ahmeti: Republika e Maqedonisë ka më së shumti marrëveshje të bashkëpunimit ndërshtetëror të nënshkruara me Republikën e Kosovës. Këto marrëveshje janë në fushën e ekonomisë si në fushën e bashkëpunimit të institucioneve. Kurse sa i përket mbledhjes së përbashkët, pres që të mbahet së shpejti meqë autoritetet e dy vendeve janë duke punuar për këtë. Është çështje kohe dhe besoj shumë shpejt se do të marrë epilog kjo çështje.

Marketing